Presidenti Ilir Meta reagoi të martën për një audio përgjim të drejtorit të Hipotekës Artan Lame, publikuar nga gazetari Artan Hoxha në rrjetet sociale.
Në audion e publikuar, Lame dëgjohet duke porositur punonjësit të mos tregojnë nëse banesa do të legalizohet apo jo.
Ai shprehet se qytetari do te votojë atë parti që i premton legalizim, ndaj duhet të jenë të kujdesshëm.
Meta i kërkoi prokurorisë hetim dhe dënim të drejtorit të Hipotekës.
Ai e quajti videon, krim zgjedhor.
“Zyrat e shtetit, që paguhen me taksat tona, janë kthyer në strofulla të fuksave, banditëve, të korruptuarve, shkelësve të ligjit dhe “taksidarëve” të biznesit kriminal të votës,” shkroi Meta në rrjetin Facebook.
Deri tani, audio përgjimi nuk është komentuar nga qeveria.