Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar SPAK-ut të nisë hetimet për anëtarët e Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, pasi nuk kanë lajmëruar presidencën për shqyrtimin e dekreteve.
Meta i quajti veprimet e komisionit në shkelje të parimeve kushtetuese dhe të papranueshme.
Në 16 dhe 17 qershor, Komisioni i Ekonomisë ka shqyrtuar dhe ka rrëzuar 3 dekretet e Metës:
- Për shtesën e kontratës së portit të Porto-Romanos;
- Për kthimin e ligjit ‘për shërbimet e pagesave’;
- Për kthimin e ligjit ‘për TVSH-në’.
Për diskutimin e këtyre 3 dekreteve, komisioni nuk ka njoftuar presidencën, në mënyrë që kjo e fundit të dërgojë në seancë përfaqësuesit e saj.
Sipas predidencës, ky veprim i komisionit është i përsëritur, veçanërisht kur shqyrtohen dekrete për kthimin e ligjeve që denoncojnë antikushtetueshmërinë e tyre, cenimin e interesave të shtetit dhe cenimin e financave të shtetit me ligje speciale që favorizojnë një grup të caktuar individësh.
Ky veprim i komisionit është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese të transparencës.
Meta e quajti sjelljen e komisionit ‘korrupsion legjislativ’ dhe si ‘aktin më të rëndë të shpërdorimit të pushtetit publik’.