Presidenti Ilir Meta i kërkoi sot publikisht partive dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të fillojnë përgatitjet për zgjedhjet e 13 tetorit.
Në një konferencë për shtyp, Zoti Meta deklaroi se shqiptarët duhet të vendosin me votë si për kryebashkiakët, për parlamentin ashtu dhe për presidentin e tyre.
Presidenti u shpreh i gatshëm të bisedojë me kryeministrin dhe opozitën për të zgjidhur krizën politike që po thellohet gjithnjë e më tepër.
Presidenti tha se KQZ po vepron në shkelje të ligjeve që vazhdon ende të njohë zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa kritikoi dhe kandidatët socialist që po marrin drejtimin e bashkive në shkelje të ligjit.
Disa nga deklaratat kryesore të Zotit Meta janë:
“Në 30 qershor nuk ka pasur zgjedhje shtetërore dhe të ligjshme në Republikën e Shqipërisë.
Zgjedhjet e ligjshme shtetërore kushtetuese janë më 13 tetor. Ishte data më e afërt që mund të garantonte të gjithë përfshirjen e të gjithë forcave opozitare që do të kishin dëshirë të merrnin pjesë, ishte dhe data më e afërt dhe në prag të 17-18 tetorit.
Mos realizimi i zgjedhjeve ne 13 tetor, do të jetë kosto serioze në pikëpamjen ligjore, por është penalizmi i sigurtë, 101 për qind për çeljen e negociatave të Shqipërisë në tetor.
Data 13 tetor është e paevitueshme nga të gjithë që duan një proces të ligjshëm, meqë kemi zgjedhje më 13 tetor, dhe kemi këtë situatë që kemi në kuvend, që nuk më duket normale e përfaqësuese, t’i jepnim zgjidhje të gjitha çështjeve, përfshi edhe për Presdientin. T’i japim mundësi qytetarëve të shprehen me votë.
E ftoj edhe njëherë kryeministrin Rama që të reflektojë, mos pengojë zbatimin e dekretit për datë 13 tetor, ftoj KQZ dhe institucionet e tjera të mos vazhdojnë në paligjshmëri, dhe partitë opozitare që duan të marrin pjesë në zgjedhje që të regjistrohen
Të mos bëjmë sikur nuk e shohim thellimin e krizës. Marrja e bashkive [nga kandidatët socialistë] në këtë mënyrë nuk është as e ligjshme dhe as legjitime.
Në rast se kërkon kryeministri të lërë edhe detyrën e Presidentit, gjithmonë duke konkuruar me 13 tetor para qytetarëve, por vetëm me një kusht, që në këtë zyrë të vijë një njeri me shumë integritet i cili ka qenë në këtë zyrë dhe ka provuar se mbrojtja e interesit kombëtar dhe publik është mbi çdo gjë tjetër dhe nuk e ha shantazhin dhe presionin siç është profesor Rexhep Meidani.”