Në takimin e zhvilluar sot me opozitën Presidenti Meta ka mbështetur qëndrimin për zgjedhje të parakohshme.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Presidenti tha se “kishte përshëndetur qëndrimet e opozitës për reformën zgjedhore dhe zgjedhje të parakohshme të menjëhershme”. Ai thotë se zgjedhjet mund t’i kthejnë legjitimitetin e munguar Kuvendit.
Në takim Presidenti tregon se ka theksuar “përmbushjen urgjente të kushteve Bundestagut” si “e vetmja rrugë e sigurtë për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, dhe për ndalimin e shpopullimit dramatik të vendit”.
Takimi i sotëm me opozitën u bë pas përplasjes politike që Presidenti pati me mazhorancën në lidhje me zgjedhjet e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Në deklaratën e sotme Presidenti thotë se e ka njoftuar opozitën rreth përpjekjes së mazhorancës për të kapur sistemin e drejtësisë përmes emërimit në shkelje të Kushtetutës së një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.