Presidenti Ilir Meta kritikoi paketën qeverisë kundër krimit të organizuar duke e përshkruar si fushatë me mbivendosje ligjesh.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës (VOA) Meta theksoi se askush nuk e pengon qeverinë në ngritjen e grupeve speciale për të luftuar krimin, por ndërhyrjet në legjislacion duhet të jenë të mirëmenduara.
“Lufta kundër krimit është kërkesë e vjetër. Kjo është luftë që zhvillohet çdo ditë, jo me fushata.”
Pyetjes nëse ishte i nevojshëm apo jo akti normativ i qeverisë për të krijuar Operacionin Forca e Ligjit (OFL), Presidenti u përgjigj:
“Mendimi im ishte se i gjithë legjislacioni ka qenë aty, askush nuk e pengon që [qeveria] të ngrejë Task-Forca të vazhdueshme. Por kur bëhet ndërhyrje në legjislacion, ato duhet të jetë të mirëmenduara. Nuk duhet të bëhen mbivendosje. Sepse nuk i shërbejnë forcmit të ligjit.”
Për sa i përket luftës ndaj përfshirjes së politikës me krimin, Presidenti u shpreh se pushtetarët duhet të japin shembull duke mos u përfshirë as në çështjet e drejtësisë.
“Ajo që mund të bëhet është shembulli i gjithë politikanëve, nga presidenti i Republikës, nga kryeministri, në respektimin e Kushtetutës, në mosndërhyrje në çështje të drejtësisë. Çdo përpjekje që kërkon të shtyjë dhe të vërë në tryseni institucionet e reja të drejtësisë, të cilat janë krijuar në klimë të polarizuar, si shërben forcimit ligjor, ndaj duhet të reflektojmë që të rivendosim qetësinë”.
Paketa e qeverisë kundër krimit formoi njësinë policore OFL. Kjo njësi u kërkon të dyshuarve, familjarëve dhe të njohurve të tyre justifikimin e pasurisë. Në rast se prokuroria dhe gjykata vendos se nuk ka burime të ligjshme atëherë ajo konfiskohet.
Paketa parashikon dhe që në raste emergjente, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë të urdhërojë vendosjen e masës së sekuestros pa vendim gjykate. Për më tepër lexoni këtu.