Meta kthen edhe koncesionin e rrugës Orikum-Dukat

Meta kthen edhe koncesionin e rrugës Orikum-Dukat

Presidenti Ilir Meta ktheu sot për rishqyrtim në Kuvend edhe koncesionin e rrugës Orikum-Dukat.

Në tre ditët e fundit Presidenti ka kthyer ligjin për kufizimin e koncesioneve të pakërkuara, ligjin që miratoi koncesionin e rrugës Milot-Balldren dhe tashmë edhe koncesionin Orikum Dukat.

Meta e ka argumentuar kthimin e radhës sepse:

  • ligji dhe kontrata janë propozuar, hartuar dhe miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës
  • është shkelur parimi i konkurrencës së lirë
  • është shkelur barazia përpara ligjit
  • cënohet interesi publik
  • cënon financat e shtetit
  • nuk ka pasur transparencë
  • nuk ka pasur bazë ligjore konkrete për negocim të kushteve
  • nuk ka pasur vlerësim të qartë ekonomik
  • nuk ka pasur studim fizibiliteti të plotë
  • nuk është dhënë miratim nga Ministria e Financave
  • nuk ka përllogaritje të efekteve të këtij investimi në ekonomi
  • projektligji për koncesionin nuk është shqyrtuar nga komisionet e ligjit dhe veprimtarive prodhuese

Rruga Orikum-Dukat u dha me koncesion në të njëjtën mënyrë si rruga Milot-Balldren.

Koncesioni u miratua me ligj të posaçëm dhe iu dha kompanisë Gjikuria, e cila kishte paraqitur propozim të pakërkuar për ndërtim dhe mirëmbajtje për 13 vjet.

Kostoja e rrugës rreth 14 kilometra, sipas studimit fillestar të fizibilitetit ishte 50 milionë euro.

Teksa përmend të njëjtat problematika si në rastin e rrugës Milot-Balldren, Meta vëren se vlera totale e investimit do të ishte 70 milionë euro, por që u negociua dhe u ra dakord që të bëhej me 67 milionë euro.

Meta thotë:

Pra, duket qartë se çmimi i dakordësuar midis palëve në vlerën prej 67 359 926 euro është 16,784,906 euro më i lartë se kostoja e projektit t ë publikuar nga vet ë autoriteti kontraktor për konkurrim.

Exit.al pati raportuar për rritjen e kostove që në fillimet e diskutimeve, ndërsa opozita hodhi dyshime për korrupsion dhe pastrim parash.

Njëtë si për rrugën Milot-Balldren, Presidenti thotë se qëllimi i kalimit të këtij koncesioni me ligj në parlament ka qenë “mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga qeveria”.

Presidenti sugjeron sërish që edhe ky koncesion të rishqyrtohet pas hyrjes në fuqi të ligjit që i kufizon koncesionet e pakërkuara.

Pra pas datës 1 tetor. Meta e sugjeron këtë gjë duke nënkuptuar që deri atëherë të mos pranohen oferta të tjera për të njëjtin projekt.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>