Presidenti Meta ka kthyer në kuvend shtesën e kontratës koncesionare të Portit MBM të hidrokarbureve në Porto-Romano, që lejonte zgjerimin e aktivitetit të portit.
Presidenti argumenton se me miratimin e shtesës së kontratës, Ministria e Infrastrukturës ka shkelur procedurat e konkurrimit – shtesa e kontratës u bë me negociim të drejtëpërdrejtë mes kompanisë koncesionare dhe shtetit.
Megjithëse ministria e ka trajtuar si shtesë kontrate, ndryshimet e kontratës kanë krijuar një marrëdhënie të re mes shtetit dhe koncesionarit. Ndaj ministria duhet të kishte hapur një tender të ri dhe të zhvillonte një garë të re, siç parashikon ligji i prokurimit publik.
Po ashtu, Meta sqaron se me veprimet e saj, ministria ka cenuar edhe hierarkinë e akteve normative në Republikën e Shqipërisë, të parashikuara në Kushtetutë.
“Moszhvillimi i një procesi transparent, si dhe vendosja e gjithë procesit nën ombrellën proceduriale të shtesës së një kontrate koncesionare, shmang konkurrencën e lirë, rrit rrezikun e trajtimit preferencial dhe nuk garanton përfitime maksimale për financat e shtetit dhe interesin publik,” sqaron presidenca.
Shtesa e kontratës për kompaninë Porti MBM (Multi Buoy Mooring) u miratua nga shumica socialiste në 30 prill 2020.
Më ndryshimin e kontratës, përveç anijeve që transportojnë hidrokarbure, operatorit të portit në Porto-Romano, i lindte e drejta të ngarkonte, shkarkonte, magazinonte dhe ankoronte në port anije që transportojnë mallra të tjera.
Shoqëria koncesionare Porti MBM (Multi Buoy Mooring) është në pronësi 1% të kompanisë Salillari shpk dhe 99% të kompanisë Adriatic Bay Investment Group shpk, e cila është në pronësi të firmës Kastrati Group (65%) dhe Europetrol Group (35%).