Meta kthen për rishqyrtim ligjin e pronave

Nga Exit News
Meta kthen për rishqyrtim ligjin e pronave

Presidenti Ilir Meta ktheu për rishqyrtim ligjin për pronat duke arsyetuar se bie ndesh me Kushtetutën. Në dekretin e miratuar të enjten, Meta shprehet se disa nene të ligjit duhen rishikuar nga Kuvendi, pasi:

  • cenojnë parimin e sigurisë juridike
  • bien ndesh me dispozita kushtetuese
  • rrezikon të krijojë tension kushtetues
  • si dhe nuk është në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese

Ligji “Për përfundimin e procesve kalimtare të pronësisë” u miratua më 5 mars. Ai rregullon dhe përcakton afat datën 31 dhjetor 2028 për përmbylljen e të gjitha proceseve tranzitore të pronësisë, siç mund të jenë legalizimet apo kthimi i pronave.

Mirëpo Presidenti thotë se për këtë çështje “Kuvendi duhet të ketë një vullnet të shprehur të qartë, për të caktuar një afat me ligj se kur do të përfundojë procesi i kompensimit financiar i pronarëve, prona e të cilëve shpronësohet për efekt të procesit të legalizimit”.

Meta vë në dukje se ky ligj nuk kaloi për miratim si paketë bashkë me ligjin për Kadastrën, siç ishte propozuar. Ai ngre shqetësimin se disa nene të ligjit favorizojnë në proceset e kalimit të pronësisë bizneset dhe persona të cilët kanë siguruar të drejta mbi pronësinë e fshatrave turistike.

Për ligjin ishte kërkuar opinioni i Komisionit të Venecias. Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, u shpreh me habi për mediat, pasi siç pretendoi ai çdo gjë ishte vendosur në koordinim me Venecian dhe KE-në.

Balla deklaroi se mazhoranca “do ta shqyrtojë me vëmendje dekretin dhe nuk do të humbasë kohë për të ecur përpara me një ligj që ka rëndësi të madhe për ekonominë e vendit”.

Në diskutim ishin dispozitat që përcaktonin kriteret për konfirmimin e të drejtës së pronësisë për tokën bujqësore për ata që dispononin akte të marrjes së tokës në pronësi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>