Presidenti Ilir Meta ktheu në Kuvend të martën ndryshimet në ligjin për vetingun në polici. Përmes një njoftimi zyrtar, Meta argumenton se ligji shkel Kushtetutën dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Meta shkruan se kjo është ndërhyrja e tretë brenda një kohe të shkurtër, nga 5 mars në 8 mars 2021.
Presidenti argumenton më tej se Kuvendi ka shkelur parimin e ndarjes së pushtetit pasi ky projektligj është mbrojtur “copy-paste” me relacionin e deputetëve nismëtarë nga zëvendës ministri i Brendshëm.
“Nisur nga këto argumente, Presidenti i ka bërë të qartë Kuvendit se kjo procedurë e ndjekur shkel “parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të parashikuar nga neni 7, i Kushtetutës së Shqipërisë dhe është tregues se Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë janë trupëzuar në një organ të vetëm, dhe ku ky i fundit (Kuvendi) ka humbur krejtësisht rolin mbikqyrës e kontrollues ndaj ekzekutivit.”, shkruan ai.
Presidenti ngriti shqetësimin se ndryshimet e bëra me këtë ligj, po e pezullojnë pa afat procesin vettingut duke krijuar kështu: “një situatë pasigurie të rëndë juridike për gjithë subjektet që e kanë nisur këtë proces, apo që do mbeten në pritje për t`iu nënshtruar atij”.