Presidenti Ilir Meta njoftoi mbrëmjen e së hënës kthimin për rishqyrtim të paketës ligjore kundër krimit të organizuar që qeveria miratoi më 5 mars.
Meta argumenton se e ktheu ligjin për shkak se:
- tejkalon kompetencat kushtetuese të qeverisë;
- shkel parimin e ndarjes së pushteteve;
- shkel të drejta dhe liri themelore të njeriut, si e drejta e pronës, e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, apo prezumimi i pafajësisë;
- shkel hierarkinë e akteve të përcaktuar në nenin 116 të Kushtetutës;
- Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;
- shkel parashikimet kushtetuese mbi funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
- bie ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.
Presidenti shprehet se:
“[…] akti normativ me cenon parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, për sa kohë është nxjerrë një akt me fuqinë e ligjit, pa ekzistuar nevoja dhe urgjenca, duke marrë përsipër Këshilli i Ministrave të rregullojë fusha që janë në kompetencën ekskluzive të Kuvendit dhe kërkojnë miratim me shumicë të cilësuar”.
Qeveria miratoi me akt normativ paketën e njohur prej Kryeministrit Rama si anti-KÇK prej akronimit “kap ça të kapësh”.
Nisma ligjore, që kishte afat kohor 1 vit, nisi të zbatohet nga njësia policore, Operacionit Forca e Ligjit, e cila muajt e fundit bëri disa aksione propagandistike me masa sekuestrosh ndaj ish-të burgosurve, apo ish-të akuzuarve për trafik droge.
Exit News ka analizuar më parë se paketa ligjore është në shkelje Kushtetutës, pasi krijon praktikisht polici dhe hetuesi personale të Kryeministrit dhe i jep kësaj policie të drejtën të përgjojë qytetarë pa vendim gjykate.