Meta kthen për rishqyrtim paketën ligjore kundër krimit të organizuar

Nga Exit News
Meta kthen për rishqyrtim paketën ligjore kundër krimit të organizuar

Presidenti Ilir Meta njoftoi mbrëmjen e së hënës kthimin për rishqyrtim të paketës ligjore kundër krimit të organizuar që qeveria miratoi më 5 mars.

Meta argumenton se e ktheu ligjin për shkak se:

  • tejkalon kompetencat kushtetuese të qeverisë;
  • shkel parimin e ndarjes së pushteteve;
  • shkel të drejta dhe liri themelore të njeriut, si e drejta e pronës, e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, apo prezumimi i pafajësisë;
  • shkel hierarkinë e akteve të përcaktuar në nenin 116 të Kushtetutës;
  • Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;
  • shkel parashikimet kushtetuese mbi funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
  • bie ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.

Presidenti shprehet se:

“[…] akti normativ me cenon parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, për sa kohë është nxjerrë një akt me fuqinë e ligjit, pa ekzistuar nevoja dhe urgjenca, duke marrë përsipër Këshilli i Ministrave të rregullojë fusha që janë në kompetencën ekskluzive të Kuvendit dhe kërkojnë miratim me shumicë të cilësuar”.

Qeveria miratoi me akt normativ paketën e njohur prej Kryeministrit Rama si anti-KÇK prej akronimit “kap ça të kapësh”.

Nisma ligjore, që kishte afat kohor 1 vit, nisi të zbatohet nga njësia policore, Operacionit Forca e Ligjit, e cila muajt e fundit bëri disa aksione propagandistike me masa sekuestrosh ndaj ish-të burgosurve, apo ish-të akuzuarve për trafik droge.

Exit News ka analizuar më parë se paketa ligjore është në shkelje Kushtetutës, pasi krijon praktikisht polici dhe hetuesi personale të Kryeministrit dhe i jep kësaj policie të drejtën të përgjojë qytetarë pa vendim gjykate.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>