Meta kujton eksodin e korrikut 1990: Sot të plotësojmë ëndrrën europiane të shqiptarëve

Nga Exit News
Meta kujton eksodin e korrikut 1990: Sot të plotësojmë ëndrrën europiane të shqiptarëve

Duke përkujtuar eksodin e shqiptarëve në 2 korrik 1990, Presidenti Meta i bëri apel të gjithë liderëve politikë që të angazhohen për të plotësuar sa më parë kushtet për në BE, si e vetmja mënyrë për të realizuar ëndrrën europiane të shqiptarëve.

Teksa postoi në Facebook një foto të shqiptarëve që kishin hyrë në ambasadën gjermane 30 vite më parë, Meta shkroi se sot, 30 vite më pas kemi mundësinë që nën presidencën e Gjermanisë në BE të nisin rrugën drejt integrimit europian:

‘Kjo foto është shkrepur 30 vjet më parë brenda Ambasadës gjermane në Tiranë, ku rreth 3200 shqiptarë nisën një jetë të re në liri. Hapja e dyerve të Ambasadës gjermane goditi në zemër diktaturën më të egër në Europë.

30 vite më pas, në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore duhet të përmbushim sa më parë të gjitha kushtet, që të nisim negociatat e anëtarësimit me BE gjatë Presidencës gjermane.

Presidenca gjermane e BE është një mundësi e shkëlqyer, dhe një sprovë e vërtetë për çdokënd që për Shqipërinë Europiane jo vetëm flet por edhe punon.

Mirënjohje të gjithë shqiptarëve që me guximin e tyre 30 vite më parë i dhanë Shqipërisë një drejtim të ri. Koha për të përmbushur ëndrrën e çdo qytetari: Shqipëria si gjithë Europa.

Koha për kthimin e shqiptarëve në vendin e tyre.’

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>