
Presidenti Ilir Meta bisedoi të mërkurën me një grup mjekësh për të folur mbi situatën e pandemisë Covid-19 në vend. Në takim ishin të pranishëm dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Albert Nikolli si dhe ish-deputeti i PD, Tritan Shehu dhe ish-deputeti i LSI-së, Petrit Vasili.
Meta shprehu interesin për të mësuar më shumë nga mjekët veçanërisht për tre çështje:
- Për rritjen e rasteve të reja e të mortalitetit gjatë muajve tetor-nëntor. Parashikimi për të ardhmen dhe masat parandaluese, kuruese dhe frenuese;
- Për kapacitetet pritëse dhe kuruese në vend të pacientëve të prekur nga virusi në përballimin e rasteve të reja;
- Për efektshmërinë e testeve analitike COVID-19, lidhur em vonesat në diagnozë, futja e testeve të shpejta për zbulim, gjurmimi dhe kontroll.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga mjekët ishte nevoja për të forcuar më shumë rolin e mjekut të familjes, i cili tashmë është bërë një pikë e rëndësishme lidhëse mes qytetarëve dhe institucioneve shëndetësore Covid-19.
Po ashtu mjeku i familjes do të luajë rol të rëndësishëm dhe në procesin e rimbursimit të ilaçeve.
Në një postim në Facebook, Meta shkroi se të gjithë vërejtjet dhe sugjerimet e vlefshme të mjekëve do t’i përcillen qeverisë për të bërë maksimumin në luftën e përbashkët me këtë armik të rrezikshëm, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së çdo qytetari.