Presidenti Ilir Meta shfrytëzoi ditën ndërkombëtare të demokracisë për të analizuar situatën që ka Shqipëria. Sipas tij vendi “po përballet me një komplot” dhe pas komplotit qëndron një “pakicë jolegjitime”.
Përmes një postimi në Facebook Meta kujtoi si fillim themelet e demokracisë:
- vota, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, pluralizmi politik.
- kërkesëllogaria dhe mundësia për të ndikuar në vendimmarrje.
- barazia përpara ligjit.
Por këto në Shqipëri sipas Presidentit janë “përçudnuar” :
Zhgënjimi është i madh. Jo ndaj demokracisë që sollëm në dhjetor ’90, por ndaj formës së shëmtuar që ajo mori në 30 vite. Shpopullimi dramatik i Shqipërisë dhe humbja e shpresës, veçanërisht tek brezi i ri, është treguesi më i dhimbshëm dhe fatkeq. Shikoni ku jemi sot: të fundit në rajon para dyerve të BE-së. Dhe ende askush nuk mban përgjegjësi, përkundrazi. Ka edhe më shumë thellim në paligjshmëri.
Fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe axhendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë, nuk janë gjë tjetër veçse një komplot kundër demokracisë, çdo vlere e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore.
Ndaj ne sot kemi një mision të përbashkët historik: Të shpëtojmë demokracinë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jolegjitime!
Këtë mision, Presidenti e ka cilësuar detyrë patriotike të panegociueshme duke u shprehur se kjo do t’u jepte zgjidhje edhe arsyes kryesore të largimit të të rinjve nga vendi:
T’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve dhe vetëm atyre! Sepse të rinjtë tanë mund të gjejnë çdo gjë jashtë që u mungon sot këtu, por kurrë nuk do të gjejnë Atdhe!
Ndaj Presidentit mazhoranca ka ngritur komision hetimor për të shqyrtuar kushtetueshmërinë e dekretit të tij që anuloi datën 30 qershor si datë zgjedhjesh vendore.
Komisioni parlamentar i drejtuar nga Ulsi Manja, ka kërkuar opinion edhe nga Komisioni i Venecias, përfaqësues të së cilës ishin pak ditë më parë në Tiranë për të mbledhur të dhënat dhe faktet e pretenduara.
Për Komisionin, Meta është shprehur se “nëse do të gjejë shkelje, do të japë dorëheqjen“.