Presidenti Meta paditi sot në SPAK Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani. Presidenti e akuzon Dvoranin për veprimtarinë kriminale dhe shkeljet e kushtetutës në procesin e miratimit të ndryshimeve ligjore për betimin e gjyqtarëve të GJK.
Sot, presidenti takoi kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Meta, lajmëroi përmes Zëdhënësit Tedi Blushi se:
“Presidenti Meta e njohu z.Basha me skandalet e fundit anti-kushtetuese dhe përpjekjet e Rilindjes për grusht shteti, dhe i kërkoi kryetarit të PD-së që të informonte edhe drejtuesit e partive të tjera opozitare”.
Emërimet e Arta Vorpsit dhe Marsida Xhaferllarit kanë krijuar ngërç në Gjykatën Kushtetuese. Secila pretendon të njëjtin vend, njëra e zgjedhur nga Parlamenti dhe tjetra nga Presidenti.
Për situatën e krijuar, në nëntor 2019, Meta e paditi Dvoranin për “shpërdorim detyre” dhe“përvetësimin e kompetencës së detyrës shtetërore”, por Prokuroria e Tiranës shpalli moskopetencë.
Presidenti e fajësoi Dvoranin me disa video si përgjegjës për situatën, pasi ai i ka dërguar dy herë në të njëjtën ditë listat e kandidatëve për dy vende vakante. Në janar 2020 Meta i ka kërkuar Komisionit të Venecias shqyrtimin e shkeljeve të pretenduara për emërmet.