Presidenti Meta ka paralajmëruar se do të padisë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për kalimin e pronësisë së truallit të Teatrit Kombëtar tek Bashkia Tiranë.
Pas reagimit zyrtar për anti-kushtetutshëmrinë e vendimit, Meta shkroi në Facebook se nëse qeveria dhe Bashkia Tiranë nuk tërhiqen nga ky vendim, atëherë ai do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese:
“Çdo veprim i mëtejshëm dhe mungesa e reflektimit mbi këtë çështje e detyron Presidentin e Republikës që në ditët në vijim të paraqesë një kërkesë të re pranë Gjykatës Kushtetuese, për shpalljen antikushtetues jo vetëm të ligjit special nr. 37/2018, por tanimë edhe të Vendimit nr. 377, datë 8 maj 2020 të Këshillit të Ministrave, apo të çdo akti tjetër të lidhur me të.”
Ai theksoi se çështja e Teatrit Kombëtar po pritet të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese, ku të paditur janë Këshilli i Ministrave, Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës.
Marrja e një vendimi si ky i transferimit të truallit të teatrit nga po të njëjtat institucione, vetëm sa rëndon pozitën e tyre antikushtetuese.
Presidenti shkruan se kundërvimi ndaj mbështetjes europiane që ka marrë Teatri Kombëtar “është sinjali më i keq i bashkëpunimit dhe mbështetjes së vlerave për të cilat kemi 30 vjet që përpiqemi të përqafojmë”.
Më herët presidenti Meta akuzoi qeverinë Rama se po përdor një procedurë tjetër ekstra-ligjore dhe anti-kushtetuese për të prishur godinat e Teatrit Kombëtar.
Komentin e plotë të presidentit mund ta lexoni këtu.