Miratimi i Projekt-Rezolutës për Shqipërinë nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian është përshëndetur nga Presidenti Ilir Meta.
Në një koment në rrjetin social Facebook, Meta ka zgjedhur të ritheksojë një nga kushtet kryesore për çeljen e negociatave, siç ishte dënimi i personave të përfshirë ne blerjen e votave.
Ai u shpreh i sigurtë se askush nuk do të amnistohej.
Më poshtë, risjellim komentin e plotë të Presidentit:
“Përshëndes Projekt-Rezolutën për Shqipërinë, që u miratua sot në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.
I falënderoj të dy grupet e mëdha politike për mbështetjen e qartë të së ardhmes europiane të Shqipërisë, që kalon vetëm përmes përmbushjes së plotë të kushteve.
Nuk ka negociata pa zgjedhje të lira dhe të ndershme!
Nuk ka përparim pa u dënuar autorët e krimeve zgjedhore të dosjeve 339 dhe 184!
Askush nuk do të amnistohet!
Votën e lirë të 25 prillit, shqiptarët do ta mbrojnë me çdo çmim dhe nuk do të kursehen ndaj askujt, që do të guxojë të tjetërsojë vullnetin plebishitar.”