Presindeti Ilir Meta përshëndeti të mërkurën vendimin e palamentit hollandez për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
“Plotësimi i të gjitha kushteve do të jetë kërkesa konstante, që do të na shoqërojë këtë proces, nga nisja deri në fund, dhe do të jetë përcaktues për kohën kur do të finalizohet anëtarësimi,” shkruan Meta në një postim.
Ai shtoi se pret që Këshilli Evropian të vendosë më 22 qershor pozitivisht pro nisjes “reale” të negociatave.
Mesa duket, Presidenti nuk e la t’i shpëtonte rasti për të ironizuar deklaratat e viteve të shkuara të qeverisë Rama, e cila vazhdimisht ka pretenduar se BE-ja ka hapur negociatat.
Lajmin për mbështetjen e Hollandës, e cila vazhdimisht ka vendosur kushte për hapjen e negociatave, e dha vetë kryeminsitri Rama e më pas, Exit e konfirmoi me ambasadën hollandeze në vend.
Parlamenti hollandez voton të enjten zyrtarisht mbi vendimin, por vendi e dha sinjalizin pozitiv në 4 qershor, kur miratoi raportin e Komisionit Evropian se vendi i ka kryer reformat prioritare.