Përmes një videoje të postuar në Facebook, Presidenti Ilir Meta ka treguar se si qëndron çështja rreth përplasjes që krijoi zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese (GJK) si pasojë e veprimeve të Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) Ardian Dvorani.
Presidenti e ka kallëzuar Zotin Dvorani për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim kompetencash” pasi e ktheu konkurrimin për një vend në GJK në “konkurrim fiktiv”, “shkeli afatet” dhe “nuk respektoi radhën e emërimeve” në mënyrë “që të emërohej Arta Vorpsi”.
Të nderuar qytetarë,Ju ftoj të ndiqni me vëmendje dhe durim, spotin e parë në mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese.
Gepostet von Ilir Meta am Dienstag, 10. Dezember 2019
“Dvorani e ktheu garën për anëtarë në GJK në konkurrim fiktiv”
Prej janarit të këtij viti, Kryetari i KED, Ardian Dvorani, nuk publikoi 32 mbledhjet e Këshillit dhe i mohoi të drejtën e pjesëmarrjes në vendimmarrje Avokatit të Popullit.
Pa trasnparencë, ai skualifikoi nga gara për 4 vendet e GJK, 31 nga 37 kandidaturat që kishin shfaqur interes. Kështu “nga proces zgjedhjeje”, zgjedhja e anëtarëve të GJK u kthye në “emërim të detyruar”.
Presidenti Meta citon Kushtetutën që thotë se për çdo vakancë “duhen 3 emra të ndryshëm”, por që për faktin se kishte vetëm 6 kandidatë procesi u kthye në “konkurrim fiktiv”.
Në listat e kandidaturave për 4 vakancat në GJK të miratuara më 21 shtator Arta Vorpsi dhe Elsa Toska kandiduan për të 4 vakancat, Fiona Papajorgji dhe Besnik Muçi për 2 vakanca. Zonja Vorpsi u listua e para në të gjitha.
Rigleta Panajoti dhe Marsida Xhaferllari kandiduan për 1 vakancë sikurse e parashikonte ligji.
“Dvorani shkeli afatet dhe prishi radhën e zgjedhjes”
Më 21 shtator KED dhe Gjykata e Lartë publikuan listat dhe radhën e zgjedhjes së kandidatëve: (1) Presidenti (2) Kuvendi (3) Presidenti (4) Kuvendi.
Më 8 tetor, Zoti Dvorani i dërgoi njëherësh Presidentit listat e 2 vakancave, që sipas radhës ishte zgjedhja e parë dhe e tretë. Më 14 tetor, ai ia nisi njëherazi edhe Kuvendit dy vakancat e tjera, që sipas radhës ishte zgjedhja e dytë dhe e katërt.
Më 16 tetor Presidenti zgjodhi Besnik Muçin si anëtar për vakancën e parë në GJK.
Presidenti citon Kushtetutën ta ndalojë së bëri njëherazi 2 emërime dhe se për çdo vakancë afati i emërimit është 30 ditë. Me 3 shkresa të ndryshme – 31 gusht, 10 tetor, 5 nëntor – ai thotë se i ka kërkuar Zotit Dvorani respektimin e rradhës, por më 9 nëntor, në Fletoren Zyrtare KED publikoi emrin e Arta Vorpsit si të emëruar automatikisht si e listuar e para ndër kandidaturat për vakancën e tretë.
Vakanca e tretë i takonte të zgjidhej nga Presidenti, por që atij i ndalohej të zgjidhte dy anëtarë rresht.
Kryetari i KED, Dvorani dhe mazhoranca, mbrojtën idenë se Vorpsi ishte zgjedhur automatikisht për mosshprehje të Presidentit.