Gjatë tubimit të thirrur për mbrojtjen e Kushtetutës, Presidenti Ilir Meta sulmoi qeverinë duke e cilësuar atë të blerë nga oligarkët.
Meta theksoi se qeveria bën pjesë në një “organizatë ndërkombëtare mafioze që synon të shkatërrojë sovranitetin e popullit”.
“Presidenti ulet ne gjunjë vetëm para popullit dhe flamurit kuq e zi. Ta degjojnë mirë puçistët vendas dhe organizata ndërkombëtare mafioze që kërkon të shkatërrojë sovranitetin dhe Kushtetutën tuaj. Kur institucionet bien ngrihet populli… dhe populli nuk futet në xhep si paratë e oligarkëve.
Jemi këtu sepse shteti është ndarë në dy botë, në botën e popullit kuqezi dhe një grup që përfaqëson interesin e puçistëve dhe oligarkëve, që si shushunja pijnë çdo ditë gjakun e popullit tonë me koncesionet dhe PPP-të.
[…] Sepse financa e shumicës së shqitparëve është në ditët më të këqija, sepse oligarkët kontrollojnë parlamentin, është cënuar parimi i barazisë, [qeveria] ka miratuar një ligj i cili favorizon oligarkët në kurriz të gjithë bizneseve dhe qytetarëve që rrespektojnë ligjin.
Oligarkët kanë blerë shtetin dhe qeverinë. Gropat financiare të buxhetit të shtetit i paguajnë qytetarët me taksa të papërmbajtshme nga qeveria dhe pushteti vendor, ky nuk është shteti i së drejtës, por pushtet poshtërues i oligarkëve dhe klientëve të tij. Ky gjysmë parlament është kthyer në një kukull i këtij sekti.”
Tubimi i thirrur nga Presidenti Meta, ku mijëra qytetarë janë grumbulluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka nisur prej orës 17:00 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.