Meta qytetarëve: Ngrihuni se institucionet kanë rënë

Nga Exit News
Meta qytetarëve: Ngrihuni se institucionet kanë rënë

Presidenti Ilir Meta ripërsëriti sot thirrjen e tij që qytetarët t’i bashkohen në tubimin e 2 marsit, për të kundërshtuar kapjen e presidencës dhe institucioneve të tjera nga shumica socialiste.

Me një postim në Facebook, Meta sqaroi se presidenti i drejtohet popullit, si sovrani i vetëm, pasi qeveria Rama ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet për të kapur institucionet e pavarura, pa të cilat nuk mund të ketë shtet.

Presidenti renditi disa prej shkeljeve të Kuvendit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me qëllimin e vetëm kapjen e GJK-së:

“Sa shkresa zyrtare i ka drejtuar Presidenti i Republikës, Kuvendit dhe Kryetarit të tij, ku i ka kërkuar bashkëpunim për të parandaluar situatën e rëndë që po krijohej për shkak të bllokimeve të qëllimshme të funksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe zbrazjes së Gjykatës Kushtetuese? Nuk numërohen.

Po përgjigje nga Kuvendi? Zero në mënyrë zyrtare. Po publikisht? E kanë dëgjuar të gjithë shqiptarët: Jemi më mirë pa Gjykatë Kushtetuese. Pse? Se bëjmë çfarë të duam e s’na kontrollon njeri.

Sa herë e ka paralajmëruar Presidenti, Kryetarin e KED i cili ka zero kompetencë në Kushtetutë që të respektojë radhën kushtetuese dhe ligjin e Gjykatës Kushtetuese për të evituar përplasjet e mundshme midis institucioneve të Presidentit dhe Kuvendit? Nuk numërohen. Po reagimi i tij? Shkeli me të dyja këmbët edhe vendimin e vetë KED-së, e cila respektoi radhën e vakancave në mënyrë korrekte President, Kuvend, President, Kuvend.

Ndërkohë që Prokuroria duhet të niste vetë hetimin prej muajsh edhe ndaj celulës mafioze dhe falsifikatore në krye të Ministrisë së Drejtësisë që kishte botuar në mënyrë të paligjshme një vendim të KED për qëllime mashtrimi të opinionit publik e ndërkombetar me objektiv të vetëm rrëmbimin e shumicës në Gjykatën Kushtetuese të vendit.

Përse duhet shtyrë pafund një hetim kaq i thjeshtë (për shkak të flagrancës skandaloze të shumë veprave penale) që ka të bëjë me vetë Gjykatën Kushtetuese? Sepse mafia thonë nuk e heton veten.”

Në fund, Presidenti Meta e mbyll shënimin e tij me thirrjen për qytetarët:

“Të dashur qytetarë, zgjohuni dhe ngrihuni se këtu institucionet kanë rënë përtokë. Ngrihuni për të rivendosur sovranitetin tuaj të nëpërkëmbur përmes rivendosjes së rendit kushtetues, demokratik dhe llogaridhënës.”

Exit News ka sqaruar më parë këtu të gjithë vendimet e qeverisë të cilat Presidenti Meta i quan pjesë të grushtit të shtetit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>