Presidenti Ilir Meta ftoi sot sërish qytetarët që t’i bashkohen më 2 mars në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të kundërshtuar grushtin e shtetit që shumica socialiste po bën përmes shkeljes së Kushtetutës dhe kapjes së çdo pushteti në vend.
Përmes një postimi në Facebook, Meta thekson se qeveria Rama dhe shumica socialiste ‘është një organizatë mjaft e strukturuar, me një program të qartë të instalimit të një regjimi satrap që dhunon çdo ditë të drejtat e shqiptarëve dhe që përmes kapjes mafioze të Gjykatës Kushtetuese synon t’i asgjesojë të drejtat demokratike dhe legjitime të tyre përgjithmonë duke i vendosur vetëm përballë dy zgjedhjeve: nënshtrimit pa kushte ose shpopullimit.’
Ai sqaron se kjo betejë ‘nuk është një betejë kompetencash midis Presidentit dhe mazhorancës për disa vende pune në Gjykatën Kushtetuese, por një betejë për të mos lejuar instalimin e një junte policore ku dhe vetë Gjykata Kushtetuese do të ishte de facto Policia anti-kushtetuese, përmes se cilës do realizohej ekzekutimi përfundimtar i Kushtetutës dhe i të drejtave kushtetuese të qytetarëve tanë.’
‘Ndaj në 2 Mars çdo qytetar është i ftuar të vijë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’i treguar kësaj organizate mafioze se durimi ka kapërcyer çdo kufi dhe se mbrojtja e Gjykatës Kushtetuese është vija e kuqe e çdo shqiptari të ndershëm dhe të përgjegjshëm që mbron të ardhmen e tij dhe të fëmijëve në këtë vend, nga instalimi i plotë i një tiranie anti-kombëtare siç e shikoni çdo ditë’, mbyll presidenti thirrjen e tij.
Exit News ka sqaruar këtu të gjithë nismat e qeverisë Rama që Meta i quan grusht shteti.