Arritjen e një marrëveshjeje për qeverinë e re të Kosovës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e kanë përshëndetur dhe liderët shqiptarë.
Presidenti Meta i uroi suksese dy liderëve Kurti e Mustafa në sfidat që i presin:
“Përshëndes ngrohtësisht arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje të Lëvizjes Vetëvendosja (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) si dy parti fituese të zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit 2019 në Kosovë. Një qeverisje e qëndrueshme është në interes, jo vetëm të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit. Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti i uroj suksese dhe arritje sa më të mëdha në të mirë të Kosovës në sfidat që e presin.”
Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Twitter, i uroi dy liderët për marrëveshjen dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim mes dy qeverive:
“Suksese VV-LDK në formimin e qeverisë së re dhe në qeverisjen e Kosovës! Uroj të kemi një bashkëpunim sa më të dobishëm për shqiptarët këtej e andej kufirit dhe pres me padurim të shtrojmë në tryezë çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve e të sipërmarrjeve në kufirin tonë.”
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se kjo marrëveshje është një akt pjekurie i drejtuesve të LVV-së e LDK-së:
“Marrëveshja e sotme është një plotësim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Ajo është një akt ndershmërie dhe pjekurie politike e një vizioni të qartë të drejtuesve të LVV dhe LDK. Kjo marrëveshje është përgjigje konkrete e vullnetit për ndryshim i qytetarëve të Kosovës.”
Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi i uroi koalicionit të ri suksese si në sfidat e brendshme të Kosovës, ashtu dhe në politikën e jashtme:
“I uroj VV dhe LDK sukses në krijimin e një qeverie të qëndrueshme e efikase në përballjen me sfidat e mëdha në shërbim të qytetarëve të Kosovës, në njohjet e reja dhe integrimin e mëtejshëm në organizatat rajonale e ndërkombëtare.
Uroj gjithashtu që mes dy vendeve tona të rritet më tej bashkëpunimi dhe integrimi në të mirë të të gjithë qytetarëve, si dhe për forcimin e paqes dhe prosperitetit në të gjithë rajonin.”