Presidenti Ilir Meta vazhdoi sot serinë e kritikave ndaj tjetërsimit të reformës në drejtësi, të cilën ai e ka etiketuar tashmë si ramaforma.
Ndryshe nga postimi i së mërkurës, ku Meta u përqendrua te Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, në postimin e së premtes, Meta akuzon Kryeministrin Rama se prej tij sot Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë anëtëarë.
Presidenti këmbëngul se “fajin nuk e ka reforma e miratuar me 140 vota në Kuvend tre vjet më parë, por transformimi i saj në Ramaformë”.
Sipas Metës, krahas Kryeministrit Rama është edhe “një kor i strukturuar ndërkombëtar që nuk do të pranojë bashkëfajësinë për këtë dështim që po e vuajnë qytetarët, ekonomia dhe biznesi”.
Presidenti më tej ka ironizuar me punën një vjeçare të bërë nga Komisioni i Venecias, që këshilloi për një kohë të gjatë reformën në drejtësi.
Meta shkruan se “nëse Komisioni do ta dinte se si do të transformohej reforma do të kalonte në gjendje të fikti dhe nuk do ta kuptonte kurrë pse duhej të punonte për të në një kohë kur atë mund ta bënte (Ëngjëll) Agaçi (Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë) për një javë dhe disa miq të inamoruar pas reformës të brohorisnin: È buono per l’Albania”.