Presidenti Meta këmbënguli sërish sot se protesta e 2 marsit bëhet për të moslejuar kapjen e të gjitha institucioneve nga partia në pushtet.
Në një intervistë për “Goodmorning Europe” në Euronews, Meta shpjegoi se përse u ka kërkuar qytetarëve “të mbrojnë institucionet demokratike të vendit”.
Ai tha se mazhoranca ka marrë nën kontroll të gjithë pushtetin kushtetues të vendit. Për këtë kujtoi zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, ku socialistët morën drejtimin e 61 bashkive, faktin se parlamenti aktual nuk është i plotë – me vetëm 122 nga 140 deputetë – që nuk ka më përfaqësuesit e opozitës, përplasjen për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe e ndryshimet ligjore që i japin kompetenca policisë.
“Të gjitha institucionet i përkasin një partie [Partisë Socialiste], si dhe kanë nën kontroll edhe gjyqësorin, nëpërmjet ligjeve anti-kushtetuese që i japin policisë rolin e prokurorit dhe të gjykatësit […] parlamenti është një-partiak, [me 122 deputetë, nga 140 në total] sepse të gjithë deputetët e opozitës, nga zgjedhjet e fundit, i lanë parlamentin për shkak të sjelljes autokratike të shumicës…”
Meta mohoi pretendimet se thirrja e tij për protesta bëhet për të shmangur shkarkimin. Ai këmbënguli se procedura e nisur nga PS-ja për shkarkim është “thjesht presion politik” pasi OSBE-ja e ka konfirmuar se zgjedhjet vendore të vendit nuk ishin të ligjshme.
I pyetur nëse kjo situatë do të ketë ndikim në vendimin e BE-së në lidhje me negociatat, Meta tha se pikërisht kapja e pushteteve ka për të bërë që negociatat të mbeten gjithnjë një ëndërr për shqiptarët.