Meta sqaron arsyet e emërimit të Marsida Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese

Nga Stafi i Exit
Meta sqaron arsyet e emërimit të Marsida Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese

Presidenti Ilir Meta emëroi dje Marsida Xhaferrllarin anëtare të Gjykatës Kushtetuese, në vend të Sokol Berberit. Në argumentimin ligjor për zgjedhjen e Zonjës Xhaferrllari, Meta sqaroi se:

Kuvendi ka shkelur kushtetutën për rendin e emërimit të anëtarëve të GJK. Kushtetuta parashikon se “anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”.

Kështu Meta argumenton se pasi ai ka zgjedhur anëtarin e parë Besnik Muçin, tashmë i takonte Kuvendit të zgjidhte anëtarin e dytë.

Ai sqaron më tej se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka shkelur Kushtetutën duke i sjellë Presidentit një listë me dy kandidatura, dhe jo me tre sikurse kërkohet nga Kushtetuta. Ligji për Gjykatën Kushtetuese parashikon se “Presidenti emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës.”

Kështu ligji parashikon se lista dërguar Presidentit duhet të përmbajë të paktën tre kandidatë. Presdienti Meta pohoi se lista e KED kishte vetëm dy emra: Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari.

Presidenti shtoi më tej se Kushtetuta nuk i cakton atij asnjë afat për përzgjedhjen e anëtarit të GJK.

“Afati 30-ditor pëcaktohet në nenin 7/b, pika 4 e Ligjir për Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta ka përparësi ndaj ligjit. Ndaj vendimi i kuvendit për caktimin e Arta Vorpsit automatikisht në GJK është i paligjshëm”, u shpreh ai.

Në 7 nëntor, Presidenti Ilir Meta bëri të qartë se veprimet e KED-it do të çonin në një procedurë antikushtetuese përzgjedhjeje, procedurë e cila ka qënë jo transparante në të vërtetë.

Mbasi afati i Presidentit mbaroi, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi deklaroi sot se Arta Vorpsi, kandidatja e renditur e para në listën e kandidatëve për vendin që duhet të zgjedhë presidenti, ‘rezulton të jetë shpallur e emëruar për vendin vakant.’ Për këtë arsye ajo nuk mund të zgjidhet më nga Kuvendi.

Për këtë dekret reagoi sot dhe KED, duke i konsideruar thëniet e Presidentit si të pavërteta. KED shprehet në njoftimin e saj se:

“Kushtetuta nuk lidhet aspak me momentin se kur organi i emërtesës vendos për emërimin/zgjedhjen e gjyqtarit mes tre kandidatëve të renditur në tri vendet e para nga KED. Pra, nuk përcakton që, për shembull, në çdo rast vakanca e Presidentit duhet të plotësohet me ushtrimin e së drejtës së tij të zgjedhjes, përpara se të veprojnë organet e tjera të emërtesës.” 

Në fund të njoftimit KED thekson se Presidenti është i detyruar të zgjedhë një kandidat nga tre emrat e renditur të parët.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>