Meta takon Komisionin e Venecias për paketën anti-shpifje

Meta takon Komisionin e Venecias për paketën anti-shpifje

Presidenti Ilir Meta takoi sot  delegacionin e Komisionit të Venecias, i cili ndodhet në Tiranë për të mbledhur fakte lidhur me paketën ligjore anti-shpifje të qeverisë.

Presidenti Meta njohu delegacionin e KV-së me qendrimin e tij kundër kësaj pakete:

“Hyrja në fuqi e ndryshimeve ligjore të miratuara nga qeveria do të përkeqësonte besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend demokratik dhe i shtetit të së drejtës, si dhe të cenonte drejtpërdrejt procesin e integrimit të shpejtë të vendit në Europën e Bashkuar.”

Zoti Meta theksoi se nëse cenohet liria e shprehjes dhe e shtypit, dhe media vendoset nën kontroll politik, atëherë është cenuar dhe rendi i lirë dhe kushtetues, me pasoja direkte dhe shumë të rënda për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Paketa anti-shpifje u miratua më 18 dhjetor 2019. Në fillim të vitit Presidenti e ktheu për rishqyrtim me argumentin se ishte antikushtetues dhe cenonte lirinë e medias.

Paketa ligjore është kundërshtuar gjerësisht nga BE, KiE, OSBE, organizatat lokale dhe ndërkombëtare të medias dhe eurodeputetë, pavarësisht pretendimeve të qeverisë se propozimet janë konsultuar me OSBE-në.

Në 23 janar, Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës i kërkoi Komisionit të Venecias të hartojë një opinion ligjor për kushtetueshmërinë e Ligjin të të Mediave, të miratuar në dhjetor të 2019.

Ndërsa më 3 shkurt, dhe përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, dërgoi në Komisionin e Venecias rishikimet e bëra nga OSBE në paketën “anti-shpifje” për një opinion ligjor.

Komisioni i Venecias pritet të shprehet mbi paketën anti-shpifje më 20 mars.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>