Meta thirrje shqiptarëve të Preshevës të marrin pjesë në zgjedhje

Nga Erblin Vukaj
Meta thirrje shqiptarëve të Preshevës të marrin pjesë në zgjedhje Ilir Meta Preshevë

Presidenti Ilir Meta u bëri sot thirrje qytetarëve me origjinë shqiptare në Luginën e Preshevës që të marrin masivisht pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vendore që pritet të zhvillohen në Serbi.

Përmes një postimi në Facebook, Presidenti tha se po e ndiqte me vëmendje situatën politike në Serbi dhe duke u nisur nga gjendja e krijuar i kërkoi Luginës së Preshevës:

“[…] vijimësi për zgjidhjen në mënyrë demokratike të të gjitha çështjeve që shqetësojnë popullsinë shqiptare të Luginës dhe të gjithë shqiptarët në Serbi. Në këtë kontekst, pjesëmarrja në zgjedhje, si ato të përgjithshme, ashtu dhe lokale, është me rëndësi madhore.”

Meta inkurajoi forcat politike dhe qytetarët që të kenë qendrim të unifikuar në mënyrë që të maksimalizojnë rolin dhe kontributin e tyre në institucionet e ardhshme, si në nivel qëndror, ashtu edhe në nivel lokal.

Presidenti u shpreh i bindur se në të tillë mënyrë mund të garantohet forcimi i zërit të popullsisë shqiptare në funksion të plotësimit të kërkesave dhe të drejtave të tyre legjitime në Serbi.

Serbia pritet të zhvillojë zgjedhje parlamentare dhe vendore më 26 prill. Aleanca për Serbinë dhe Lëvizja e qytetarëve të lirë, që bëjnë bashkë disa nga partitë opozitare kanë deklaruar se do t’i bojkotojnë. Ata e akuzojnë Vuçiçin dhe partinë e tij se nuk garanton dot zgjedhje të lira dhe se e ka kthyer Serbinë në vend autoritar.

Në zgjedhjet e vitit 2016 koalicioni mes Partisë Progresiste të Vuçiç dhe Partisë Socialiste të Daçiç i dha atij mandatin e dytë qeverisës me 131 deputetë nga 250 që ka në total parlamenti serb. Megjithatë në vitin 2017 Vuçic kandidoi dhe fitoi zgjedhjet Presidenciale. Ai ia la qeverinë Ana Brnabiçit. Kjo, e para kryeministre femër, u prezantua fillimisht si figurë e pavarur, por 2 vite më vonë u bë pjesë e partisë së Vuçiçit.

Komuna e Preshevës, një krahinë në lindje të Kosovës mbetet nën territorin serb pavarësisht përpjekjeve për t’u bashkuar me Kosovën përpara dhe pas pavarësisë. Presheva mendohet të ketë rreth 35 mijë banorë, rreth 90 për qind e së cilëve janë me origjinë shqiptare.

Nga viti 2005 e deri në vitin 2016 komuna është drejtuar nga Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare. Katër vitet e fundit Preshevën e ka drejtuar Shqipërim Arifi, Kryetar i Alternativës për Ndryshim. Ky i fundit në vitin 2017 e mirëpriti Presidentin Meta në vizitën jo-zyrtare që bëri në Preshevë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme