Presidenti Meta i quajti gjithë vendimet dhe veprimet e qeverisë dhe Bashkisë Tiranë për të shembur Teatrin Kombëtar “një veprimtari të mirëstrukturuar kriminale”.
Duke folur gjatë një vizite në Kavajë, presidenti tha se ‘nuk mund t’i besojë’ aktet dhe vendimet që janë bërë publike orët e fundit në media:
“Ende s’mund të besoj disa fakte dhe disa akte.
Më duket papërgjegjshmëri tej çdo ekstremi dhe çdo llogarie pasi nuk kemi të bëjmë etëm me shkelje të kushtetutës dhe ligjeve, nuk kemi të bëjmë vetëm me përgjegjësi penale të atyre që do të prishin Teatrin Kombëtar, por faktet flasin për një veprimtari të mirëstrukturuar kriminale që do të ishte e paamnistueshme në çdo kohë.”
Meta e quajti ‘marrëzi’ vendimin e qeverisë dhe bashkisë për të shembur teatrin, në një moment kur Gjykata Kushtetuese ende nuk është shprehur për këtë çështje:
“Më duket marrëzi e jashtëzakonshme çdo përpjekje për të prishur teatrin pa shteruar rrugën e plotë kushtetuese dhe ligjore të kësaj çështjeje që ka marrë dhe dimension ndërkombëtar dhe evropian.”
Ai i bëri thirrje institucioneve të reflektojnë dhe të tërhiqen nga ky vendim pasi çdo humbje është e parikuperiueshme dhe cenim i identitetit kombëtar.
Mbrëmjen e 14 majit, Këshilli Bashkiak publikoi vendimin e miratuar nga këshilltarët, edhe pse nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar as për mbledhje të Këshillit dhe për rrjedhojë për votim në datën 14.
Nuk dihet si është marrë vendim, pra në çfarë mënyrë është votuar dhe si është administruar vota dhe pse ky votim u bë 24 orë më herët se mbledhja e njoftuar e Këshillit.
Siç Exit News ka shpjeguar më parë këtu dhe këtu, ky vendim është marrë në shkelje flagrante të ligjeve.