Meta: Zgjedhjet e 13 tetorit shtojnë shanset e hapjes së negociatave

Meta: Zgjedhjet e 13 tetorit shtojnë shanset e hapjes së negociatave

Presidenti Ilir Meta ftoi sot palët politike që të lënë luftën për pushtet dhe të përqendrohen me përgjegjësi për zgjidhjen e krizës, pasi shanset për hapjen e negociatave janë pothuajse zero.

Në një postim në Facebook Meta thotë se shanset mund t’i shtojë vetëm një proces gjithpërfshirës zgjedhor më 13 tetor.

Në fillim ai kujton se si më 27 qershor shpalli 13 tetorin si datë zgjedhjesh vendore, kjo me argumentin se ky vendim jepte kohë dhe mundësi për të gjetur zgjidhje për kapërcimin e krizës.

Më 18 tetor në Bashkimin Evropian merret vendimi për sa i përket propozimit të radhës nga Komisioni për hapjen e negociatave me vendin tonë.

Mirëpo Presidenti thotë se gjatë kësaj periudhe, koha është shpërdoruar:

Jo vetëm që u shpërdorua një vit pa bashkëpunim, përqëndrim e përgjegjësi, por gjithçka u përkeqësua vetëm në interes të luftës për pushtet. Ndërkohë kanë kaluar më shumë se dy muaj nga dita kur u dhashë mundësi të dy palëve për të realizuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse.

Sipas Metës mbajtja e zgjedhjeve më 13 tetor mund t’i shtojë sado pak shanset që BE të ndryshojë qëndrim ndaj zgjerimit:

Ende kemi mundësi t’i shfrytëzojmë këto ditë, për të realizuar zgjedhje në 13 tetor 2019, si një detyrim, jo vetëm ligjor, por edhe si domosdoshmëri për të mos i mbajtur zero shanset që Shqipëria t’i çelë negociatat për anëtarësim me BE në 18 tetor 2019.

Javën e shkuar, Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Euro-news fajësoi BE-në për moshapjen e negociatave dhe kërcënoi se nëse Shqipëria ndahet nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit, rajoni mund të destabilizohet.

Presidenti thekson se palët nuk duhet të justifikohen më, pasi zgjedhjet e lira e të ndershme janë pjesë e pashmangshme për t’u respektuar prej kritereve të Kpenhagenit.

Sipas Metës ka kohë jo vetëm për të mbajtur zgjedhjet e 13 tetorit, por edhe për të gjetur marrëveshje për reformën zgjedhore.

Presidenti këmbëngul se çështja e integrimit duhet parë me realizëm dhe përgjegjësi. Një qasje e tillë do të nxiste palët për t’i lexuar drejtë sfidat që vendi ka përpara “veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit”.

Por Meta rikujton se viti i ardhshëm mund të jetë edhe më i vështirë për çështjen e integrimit të Shqipërisë:

Provimi ynë i qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues pasi edhe vetë Bashkimi Europian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë.

Ndaj, i ftoj të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>