Metastaza oligarkike dhe rrënjosja e regjimit antidemokratik në një vit

Nga Vehap Kola
Metastaza oligarkike dhe rrënjosja e regjimit antidemokratik në një vit

Viti 2019 ishte më i keq se të mëparshmit për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Popullsia u tkurr dhe diaspora u rrit me 3.6 përqind, sipas INSTAT. 77 përqind e këtyre emigruan në kërkim të punësimit dhe vetëm 6 përqind e tyre u larguan për t’u shkolluar. Hemoragjia demografike e këtij viti dallon nga të mëparshmit, pasi këtë vit vendin e braktisi pjesa e arsimuar e fuqisë punëtore. Si rezultat, jashtë kufijve të saj Shqipëria rritet çdo ditë, ndërsa Shqipëria zyrtare ndrydhet me të njëjtat ritme, por edhe plaket e shëmtohet.

Demokracia këtë vit shënoi një rekord të padëgjuar për një vend pluralist. Institucionet, që kishin nisur të merreshin nën kontroll nga regjimi Rama-Veliaj, u boshatisën plotësisht nga çdo përfaqësues që nuk vinte nga radhët e Rilindjes.

Kuvendi u kthye në një asamble të Partisë Socialiste, ku të gjithë, socialistë e “opozitarë të rinj, votojnë në rresht pro ligjeve të qeverisë. Pushteti vendor u kap tërësisht nga regjimi, pas votimeve moniste të qershorit. Pushteti gjyqësor u shkërmoq plotësisht dhe disa arnime të institucioneve të reja gjyqësore u bënë në shkelje të hapur të Kushtetutës. Shqipëria nuk ka as Gjykatë Kushtetuese, as Gjykatë të Lartë, ndërsa vetingu u provua si një proces politik dhe i kontrolluar nga regjimi Rama-Veliaj.

Në procesin e integrimit europian, Shqipëria bëri hapa pas. Kushtet për t’u përmbushur u shtuan, bashkë me skepticizmin e vendeve anëtarë të BE-së ndaj vendit tonë. Hapja e negociatave u refuzua edhe sivjet për të disatin vit radhazi, ndërsa regjimi fajësoi BE-në dhe refuzoi çfarëdo përgjegjësie.

Është përfundimisht e qartë se retorika e integrimit euro-atlantik është thjesht një instrument politik në duart e pushtetit për të kompleksuar opozitën dhe kritikët e regjimit. Këta të fundit nuk arritën të prodhojnë një ligjërim të orientuar drejt përmirësimit thelbësor të vendit, por ndoqën skemën e qeverisë, që e vë theksin tek imazhi i Shqipërisë.

Tek opozita duket se ka dominuar përfundimisht teza e status quo-së në parti, ndërsa shqiptarët janë lënë të zgjedhin mes së keqes më të madhe dhe asaj më të vogël. Kjo i është kthyer si bumerang, pasi shumica e shqiptarëve kanë zgjedhur të bëhen me të keqen më të fuqishme, që është e keqja më e madhe. Demokratizimi i Partisë Demokratike, transparenca e financimit dhe shkëputja e lidhjeve nga oligarkia, që janë tri shtyllat qendrore të transformimit të saj, nuk kanë ndodhur.

Opozita akoma nuk ka shpjeguar se si do ta shpëtojë ekonominë nga monopolizimi prej oligarkëve dhe si do të balancojë buxhetin e marrë peng nga borxhi i madh dhe kontratat koncesionare mbytëse për vendin. Mbetet ende e dyshimtë nëse një qeveri me programin për të rikthyer konkurrencën në tregje mund t’i mbijetojë fuqisë së madhe financiare e politike të klubit oligarkik.

Trishtues është veçanërisht optimizmi që mban të lidhura radhët e strukturës së opozitës. Përkeqësimin e gjendjes ekonomike, kufizimin e lirive njerëzore dhe tkurrjen e pandalshme demografike, opozita i konsideron, gabimisht, si errësirën përpara agimit që po vjen. Kundërshtarët naivë të regjimit e shohin zymtësinë që ka mbërthyer vendin si shenjë të degradimit të sistemit oligarkik.

Kjo do të ishte e vërtetë për çdo qeverisje të mirë të prekur rëndë nga korrupsioni, por jo për një qeverisje që ka zgjedhur të përqendroj të gjithë fuqinë ekonomike e politike si strategjinë më efikase për të përjetësuar pushtetin dhe dominimin e saj.

Ekonomia gjatë vitit 2019 vijoi të përqendrohet në duart e oligarkisë. Pasi kanë monopolizuar shfrytëzimin e burimeve natyrore, tregun bankar, telekomunikacionin, sektorin shëndetësor privat, punët publike, sektorin e ndërtimit rezidencial e komercial dhe importin e mallrave të konsumit, oligarkët thelluan më tej plagën buxhetore me koncensione të reja. Disa prej këtyre ishin koncensione të pakërkuara, por qeveria nuk ngurroi t’i frynte disafish kostot që duhet të paguajë publiku për to. Shumë sektorë e kanë humbur përfundimisht çdo mundësi konkurrence, veçanërisht tregtia me pakicë provoi një vale shkulmuese falimentimesh.

Në kulmin e kësaj krize morale dhe zymtësie, Shqipëria u godit nga një tërmet me 52 viktima, qindra të plagosur dhe mijëra të pastrehë. E përgatitur për të shfrytëzuar çdo situatë që favorizon forcimin e pushtetit, qeveria e përdori gjendjen e fatkeqësisë për të censuruar fjalën e lirë dhe kritikën e qytetarëve për keqmenaxhimin e saj. Në këtë atmosferë, regjimi Rama-Veliaj nuk e humbi shansin të miratonte në Kuvend dy ligje censure, që prej vitesh i mbante në sirtar.

Prandaj, humbja më e madhe që shqiptarët koleksionuan këtë vit ishte ngushtimi i lirive politike dhe të drejtave njerëzore. Kuvendi miratoi paketën ligjore të pagëzuar djallëzisht si ‘paketa anti-shpifje’, që i jep Autoritetit të Mediave Audiovizive, të kontrolluar nga regjimi, kompetenca që deri më sot i gëzonte vetëm gjykata. Liria që do të humbasë Shqipëria pas miratimit të këtij legjislacioni nuk do të mund të matet asnjëherë. Çdo përpjekje për të vlerësuar humbjen e lirisë, do të përballet me gjoba dhe dënime të atyre njerëzve që do të kenë guximin dhe forcën për ta kundërshtuar këtë paketë censure. Liria, nga e cila shqiptarët hoqën dorë vullnetarisht nga frika e burgut, gjobave dhe kërcënimeve të pushtetit, do të varroset bashkë me të vetëcensuruarit.

E kombinuar me kontrollin e plotë që regjimi ka mbi institucionet, ‘paketa antishpifje’ do t’u kushtojë shqiptarëve shumë liri, shumë transparencë dhe, mbi të gjitha, më shumë jetëgjatësi të regjimit Rama-Veliaj. Liria që do të humbasin shqiptarët nuk mund të kthehet, as të kompensohet kurrë më, pikërisht për shkak të mënyrës vullnetare në të cilën ajo do të humbasë. Çdo rikthim i lirive njerëzore dhe të drejtave qytetare nuk do ta shmangë dot hijen e errët të një humbjeje të pakthyeshme, të cilën e kishim provuar edhe më parë, por që nuk bëmë thuajse asgjë për ta ndalur.

Shqiptarët e kanë provuar çfarë do të thotë të humbasësh lirinë për më shumë se 45 vjet. E gjithë narrativa e kompensimit të të përndjekurve politikë e fsheh me turp dështimin tonë shoqëror për të kuptuar dëmin e pariparueshëm të heqjes së lirive nga diktatura komuniste. Mungesa e lirisë dhe kërcënimi totalitar ndaj çdo vepre të lirë nuk është marrë asnjëherë seriozisht në debatin publik pas ndryshimit të formës së regjimit në fillim të viteve 1990.

Me trishtim, duhet pranuar se viti 2019 e bëri Shqipërinë një vend më të vogël, më të varfër dhe më pak të lirë. Çdo projeksion për vitin 2020 do të ngrihet mbi një perspektivë më të errët dhe me pritshmëri më pesimiste. Demokracia do të jetë më e largët, regjimi do të jetë më arrogant dhe më shumë shqiptarë do të ikin nga Shqipëria. Ajo që do të mbetet do të jetë një vend edhe më i lehtë për t’u sunduar nga një regjim totalitar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>