“Metodat speciale” të Veliajt dhe nervozizmi i Ramës kur e quajnë grabitës

“Metodat speciale” të Veliajt dhe nervozizmi i Ramës kur e quajnë grabitës

Në kafe, me darka dhe thirrje tek për tek në zyrë. Këto janë “metodat speciale” të kryebashkiakut Erion Veliaj për të joshur artistët. Qëllimi: t’i bindë për teatrin ose së paku t’u ulë nervin e reagimit. Këto synon t’i arrijë nëpërmjet përçarjes: kur armiku është bashkë, duhet përçarë.

Deri më tani duket se nuk ia ka dalë edhe aq mbanë, për shkak të disa fakteve që shihen:

1.Protesta e artistëve vazhdon, njësoj si ditën e parë.

2.Artistët që e kanë takuar jo vetëm kanë rrëfyer se çfarë ka ndodhur në takimin me të, por edhe kanë vazhduar të qëndrojnë konsistentë në atë që besojnë: Teatri kombëtar nuk duhet shembur!

Edhe pse Veliaj me ekipin e tij janë munduar të shpërndajnë foto nëpër medie, të cilat janë shitur si tradhëti, me qëllim përbaltjen e integritetit të artistëve që kanë pranuar ftesat e Veliajt, sërish efekti te publiku duket se nuk është arritur.

Robert Ndrenika dhe Mirush Kabashi u takuan në një darkë me Veliajn, por Kabashi rrëfeu në protestë se çfarë i kishin thënë Veliajt. Po kështu bëri edhe Alert Çeloaliaj, ndërsa për takimet në zyrë ka patur një përplasje më të hershme mes Kastriot Çipit dhe Genci Fugës, por pati edhe nga ata artistë, si Romir Zalla që deklaruan se duan t’i korruptojnë me 100 mijë euro apo apartamente.

Artistët janë sulmuar në mediet afër qeverisë jo vetëm për takimet me Veliajn, por edhe për takimet me krerët e opozitës, si në rastin e Kastriot Çipit për takimin me Bashën.

“Hashtag.al” shkroi ditë më parë se Edi Rama i ka votat për ta kaluar projektligjin në Kuvend që i jep të drejtën “Fusha” shpk të shembë godinën e Teatrit Kombëtar dhe se e vetmja arsye që e nxiti këtë skemë (të gjoja komunikimit dhe debatimit të çështjes me artistët) qe për shkak të legjitimimit të temës dhe ndryshimi i perceptimit te publiku: Nuk është Edi Rama ai që do të shembë Teatrin Kombëtar! Shembja do të vijë për shkak të vendimit më të mirë të marrë së bashku!

Një audio e Edi Ramës publikuar së fundmi tregon nervozizmin e kryeministrit, kur një qytetar e quan grabitës të pronës publike. Kjo me siguri është ajo që Edi Rama nuk duron dot: perceptimin e publikut si grabitës të Teatrit Kombëtar.

Videon mund ta gjeni në  Hashtag.al.


Ky artikull u botua më parë tek Hashtag.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>