Michael Schumacher: gjithçka që dihet 6 vjet pas aksidentit

Nga Redaksia
Michael Schumacher: gjithçka që dihet 6 vjet pas aksidentit

Më 29 dhjetor 2013 Michael Schumacher pësoi aksident të rëndë në ski. Rrëzimi në Meribel të Francës i shkaktoi lëndim të rëndë në kokë, për të cilin u operua 2 herë.

Ai mbeti në gjendje kritike me muaj dhe iu deshtën 254 ditë për të lënë spitalin. Familja vendosi ta shpërngulte shërbimin mjekësor në shtëpi, në Lozanë të Zvicrës .

Nga atëherë e deri më sot nuk ka asnjë lajm të sigurt. Shtatë herë kampioni i Formulës 1 ka qenë gjithmonë tip i mbyllur kur vinte puna te jeta private, kështu që familja Schumacher vendosi të mbante një qasje të rezervuar dhe shumë strikte me mediat.

Shpesh herë ka pasur lajme të rreme rreth shëndetit të Michael dhe në disa raste familjes i është dashtur t’i përgënjeshtrojë ato.

Megjithatë gjatë vitit 2019, ka pasur të reja: Schumacher lëvizi nga shtëpia e tij për t’u vizituar disa herë në spitalin George Pompidou në Paris. Atje iu nënshtrua një trajtimi eksperimental me qeliza burimore të drejtuara nga kirurgu Philippe Menasché.

Sipas dëshmisë së një infermiere për Le Parisien “ai është me vetëdije”.

Edhe pse pa komunikime zyrtare në pesë vitet e fundit, gjendja shëndetësore e Schumacher, i cili mbush 51 vjeç vitin e ardhshëm, konsiderohet si lajmi më i mirëruajtur i botës sportive.

Jashtë familjes së tij dhe rrethit miqësor të ngushtë, janë të paktë ata që e kanë vizituar gjatë kësaj kohe.

Të paktë janë ata të botës së automobilizmit. Njëri prej tyre, Jean Todt (presidenti i FIA-s dhe ish-kreu i Ferrarit), tha këtë vit se kishte parë një garë të Formulës 1 me të në televizion dhe se “ai është në shtëpi, në duart më të sigurta”.

Ndërsa gjithçka që ka të bëjë me ish-pilotin e Formulës 1 mbetet e rreptësisht e kufizuar, familja Schumacher mbetet e pranishme në tribunat e garave për të ndjekur Mick Schumacher, djalin më të vogël të Michael.

Sabine Kehm, menaxhere historike e Schumacherit dhe përgjegjëse për shtypin, ka marrë përsipër personalisht karrierën e të riut Mick, 20 vjeç, dhe nëna e tij, Corinna, gjithashtu shkon zakonisht në pista gjatë fundjavave të garave.

Në fakt, ajo ndoqi nga i njëjti garazh provën e parë zyrtare të djaloshit me një F1, në Bahrein në drejtim të Ferrari SF90 dhe nën mbikëqyrjen e drejtuesve të Maranellos.

E sigurt është se e ardhmja do të ketë sërish të bëjë me Schumacher në botën e automobilizmit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>