Përgjatë periudhës së krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, media në Shqipëri e gjen veten midis dy zjarreve. Nga njëra anë ka shumë pritshmëri që media të informojë me profesionalizëm publikun dhe të ofrojë raportim të pa-anshëm dhe gjithëpërfshirës sa i takon pandemisë dhe ccështjeve të tjera të lidhura me të.
Nga ana tjetër, Qeveria e drejtuar nga Kryeministri Rama minon përpjekjet e medies. Kur nisi izolimi, Kryeministri i bëri thirrje qytetarëve shqiptar të qëndrojë në shtëpi, të respektojnë masat e higjenës personale dhe distancimit fizik si dhe shtoi “mbrohuni nga mediat”.
Kjo është në vazhdën e qasjes denigruese që ka Kryeministri ndaj mendias duke iu referuar si “kazan”. Raporti i fundit i Reporterëve pa Kufinj nënvizon si problematike klimën e pasigurisë, intimidimit dhe gjuhën denigruese ndaj gazetarëve dhe mediave në përgjithësi.
Për më tepër gjatë pandemisë COVID19 vihet re një përforcim i qasjes së tij të personalizimit të pushetit. Organizatat e të drejtave të njeriut si edhe të mediave kanë kritikuar qeverinë për monopolizimin e informacionit gjatë pandemisë si edhe përpjekjeve për të penguar lirinë e mediave.
Indeksi i Lirisë së Medias në botë të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij për vitin 2019 si edhe Raporti vjetor i Platformës së Këshillit të Europës për të Promovuar dhe Mbrojtur Gazetarinë dhe Sigurinë e Gazetarëve (2020) kanë vënë në dukje rreziqet që i kanosën lirisë së medias në Shqipëri për shkak të pandemisë COVID19.
Kriza COVID-19 ka bërë edhe më të dukshme sfidat e vazhdueshme të lirisë së mediave në Shqipëri. Ndërsa informacioni i saktë dhe i besueshëm është parësor gjatë krizës dhe pritet që media të luajë një rol kryesor, në realitet media e pavarur në Shqipëri dobësohet për shkak të një kombinimi të faktorëve.
Mund të përmendim këtu cilësinë dhe profesionalizmin e kufizuar të gazetarisë, marrëdhënie simbiotike midis mediave, politikës dhe biznesit, niveli i ulët i besimit në institucionet publike, dhe mungesa e qëndrueshmërisë financiare. Si rezultat, media është në një krizë të shumëfishtë: gazetat po dalin jashtë qarkullimit, emisionet televizive të anuluara, reduktimi i redaksisë së lajmeve, reklamat në rënie dhe gazetarët që rrezikojnë shëndetin, sigurinë dhe pagat e tyre. Raportimi nga terreni po bëhet edhe më i vështirë dhe ka mungesë të njohurive dhe procedurave të qarta për gazetarët se si të raportojnë gjatë pandemisë dhe të mbrojnë veten dhe të tjerët.
Mediat e lajmeve, edhe pse mes sfidave dhe vështirësive, kanë raportuar gjerësisht për krizën e COVID19. Megjithatë, raportimi është reduktuar në fakt thjesht në transmetim të videove të ERTV, statuseve dhe komunikimit online të Kryeiministrit me ndjekësit e tij si edhe video të parapërgatitura nga Zyrat e Marrëdhënieve me Publikun dhe Komunikimin në ministritë përkatëse.
Emisionet e mbrëmjes, debatet dhe rubrika të tjera janë përpjekur të ofrojnë analizë dhe debat për publikun lidhur me krizën, masat e ndërmarra nga qeveria, ndikimi i krizës në fusha të ndryshme si edhe krahasim apo informim për situatën në vendet e tjera.
Megjithatë, hapësirën më të madhe e zënë sërish analistët apo opinion-bërësit, që nuk janë ekspertë të shëndetit publik dhe as mjek. Për më tepër opinionet e tyre janë të lidhura ngushtë me interesa të caktuar dhe nuk ofrojnë domosdoshmërisht analizë të paanshme.
Megjithatë ka edhe elementë pozitivë sikurse është kthimi i vëmendjes tek ekspertët ngjashëm me situatën e post-tërmetit të 26 nëntorit 2019. Media i ka dhënë hapësirë ekspertëve të ekonomisë, shëndetit public dhe mjekëve, por zërat e tyre mbeten të skajuar në raport me analistët dhe opinion-bërësit.
Shumica e mediave kanë përdorur disa veçori bazike të gazetarisë së të dhënave (data journalism) në lidhje me statistikat dhe informacionin mbi COVID19 në Shqipëri duke publikuar disa analiza vizuale të të dhënave. Platforma të tjera mediatike online si Exit.al, Monitor.al dhe Reporter.al kanë ofruar analiza të thelluara për krizën dhe impaktin e saj si edhe kanë analizua në mënyrë kritike masat e ndërmarra nga qeveria.
Informacioni më i plotë lidhur me COVID19 në Shqipëri duke përfshirë statistika, të dhënat e ISHP-së, masat e marra, aktet ligjore, VKM-të dhe këshilla e informacion tjetër të dobishëm ofrohet nga Open Data Albania.
Gazetarët dhe ekspertët që vënë në dyshim ose kritikojnë masat e marra nga Qeveria e gjejnë veten të ekspozuar ndaj akuzës për “përhapjen e panikut në një kohë lufte”. Raporte të ndryshme tregojnë se një çështje shqetësuese mbetet rreziku i përdorimit jo proporcional të masave ndaj personave ose mediave të akuzuara për përhapje të panikut.
BiEPAG Report argumenton se kriza COVID-19 paraqet një situatë kritike që ka lënë në hije zhvillimet e tjera. Kjo vlen për Shqipërinë. Për më shumë se 2 muaj tani “loja e vetme në qytet” është COVID-19. Gazetarët dhe profesionistët e mediave pohojnë se është bërë shumë e vështirë për të mbuluar tema të tjera, përfshirë çështje të mëdha me interes publik. Media ka mbuluar çështjet e ngritura nga opozita në Shqipëri.
Opozita është përqendruar në tre çështje kryesore: duke kritikuar qeverinë për mos marrjen e masave më parë; duke kërkuar më shumë testime për COVID-19 dhe duke kërkuar anulimin e partneriteteve private-publike shumë-milionshe dhe përdorimin e parave për subvencionimin e biznesit të vogël dhe mbështetjen e sistemit shëndetësor në vend.
Megjithatë, Qeveria po përdor me sukses narrativën e “të qenit në luftë me COVID19” dhe si i tillë “lufta me këtë armik të padukshëm” justifikon të gjitha.
Transparenca dhe llogaridhënia e Qeverisë gjithashtu janë në vështirësi gjatë pandemisë duke pasur parasysh rolin e madh e në rritje që po merr ekzekutive. Kriza i ka ofruar mundësinë Kryeministrit Rama për të përforcuar edhe më shumë personalizimin e pushtetit dhe ai ka dominuar ligjërimin publik përgjatë gjithë krizës.
Përveç kësaj, situata e krijuar nga COVID-19 përkeqëson krizën politike në vend me kërcënime për të drejtat dhe liritë e njeriut, lirinë e mediave dhe pavarësinë e tyre dhe shton perspektivën e një krize ekonomike edhe më të madhe. Të gjitha këto çështje meritojnë të jenë në vëmendje të sferës publike dhe t’i nështrohen kontrollt të duhur publik, ku media është thelbësore.
Blerjana Bino — Bashkëthemeluese e Qendrës “Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim” (SCiDEV), kërkuese në ndërlidhjen mes shkencave politike dhe studimeve për median si edhe një ekspertë në zhvillimin e projekteve