Mijëra qytetarë protestuan të shtunën në Berlin të Gjermanisë, kundër masave kufizuese për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Demonstruesit thonë se masat, përfshirë edhe mbajtjen e maskava, shkelin të drejtat dhe liritë e tyre.
Gjermania është prekur më pak nga pandemia sesa disa vende evropiane, por numrat e të infektuarve kanë filluar të rriten përsëri.
Të premten u zbuluan më shumë se 900 raste të reja dhe shtatë vdekje.
Vlerësimet zyrtare thonë se të paktën 15 mijë njerëz morën pjesë në protestat, që po quhen “Dita e Lirisë”.
Protestuesit mbajtën pankarta me parulla të tilla si “Corona, alarm i rremë”, “Duam Liri” apo “Larg Maskave”.
Gazetari i BBC-së në Berlin raportoi se disa protestues janë nga ekstremi i djathtë dhe disa janë nga ata që besojnë në teoritë konspirative që nuk besojnë se Covid-19 ekziston, por të tjerët janë njerëz të thjeshtë që thjesht kundërshtojnë qasjen e qeverisë ndaj pandemisë.
“Kërkesa jonë është të kthehemi në demokraci. Larg këtyre ligjeve që na janë imponuar, larg mbajtjes së maskave që na bëjnë skllevër,” tha një grua.
Kufizimet në Gjermani përfshijnë mbajtjen e maskave në dyqane dhe transportin publik, ruajtja e distancimit social dhe ruajtja e higjenës personale. Testi i detyrueshëm është futur për pushuesit që kthehen nga shtetet me rrezik të lartë.
Gjermania ka pasur më shumë se 210 mijë raste të koronavirusit dhe më shumë se 9 mijë vdekje që nga fillimi i pandemisë.