Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) i dorëzoi të hënën Kuvendit peticionin me 10 700 firma, për kërkimin e “Statusit të Minatorit”.
Peticioni i është dorëzuar Kuvendit, Këshillit të Ministrave dhe Ministrive përkatëse, asaj të Energjitikës dhe Financave.
Prej 4 javësh minatorët dhe mbështetës të tyre kanë mbledhur firma në disa qytete, së shumti qytete me aktivitete minerare.
Minatorët thanë për mediat pas dorëzimit të peticionit:
“Nisur nga ky numër i jashtëzakonshëm nënshkrimesh në një periudhë kaq të shkurtër, është i qartë vullneti i qytetarëve për këtë çështje. Ju mund ta kuptoni më shumë se kushdo tjetër, aq më tepër duke qenë në prag të një fushate elektorale.”
Gjithashtu ata u shprehën të gatshëm për të takuar institucionet për të diskutuar mbi statusin e tyre.
Çfarë kërkojnë minatorët?
Përmes miratimit të Statusit të Minatorit, ata kërkojnë:
- Sigurimin e jetës për minatorët
- Rritjen e pagave dhe përfitimeve të tjera për minatorët
- Rritjen e pensioneve për minatorët
- Garantimin e kujdesit shëndetësor për minatorët dhe ish minatorët
Statusi i Minatorit shërben për minatorët dhe familjet e tyre. Përmes Statusit minatori është më i siguruar. Nëse minatori vritet, aksidentohet apo ka një sëmundje të rëndë, familja apo minatori marrin mbështetje financiare përmes statusit.
Historiku i premtimit për Statusin e Minatorit
Prej vitesh “Statusi i Minatorit” është premtuar nga politikanë të ndryshëm, por sot në 2020 mbetet ende një premtim i pambajtur.
Në 2009, kryeministri Edi Rama, atëherë kreu i opozitës, ka premtuar disa herë miratimin e “Statusit të Minatorit”.
Rama u bë kryeministër 4 vjet më vonë, por statusi i minatorit është shumë larg miratimit.
Në vitin 2018 ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri deklaroi se po punohej për të dhe se shumë shpejt do të kishte një draft përfundimtar për “Statusin e Minatorit”.
Në 2018 Rama i shoqëruar nga ministrat Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri bëri një takim me themeluesit e sindikatës së minatorëve “Janar 1991”, ku premtoi sërish miratimin e statusit.
“Qasja drejt statusit, nëse nuk pastrohet skema bëhet kërcënuese për vetë rezultatin. E para duhet të ndajmë qartësisht në status, çfarë quajmë një ish-punonjës në miniera që meriton status”, deklaronte Rama në 2018.
Në tetor 2017, deputeti i qarkut të Dibrës pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, propozoi një projektligj për miratimin e “Statusit të Minatorit”.
Mazhoranca e rrëzoi propozimin, me argumentin se dëmtonte skemën e pensioneve.
Deputeti Spahiu e cilësoi si politik rrëzimin e propozimit të tij.
Gjendja e minatorëve dhe Sindikatat
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës u themelua në 17 Nëntor 2019. Pas shumë vitesh minatorët bënë një përpjekje të një organizimi, duke u shkëputur kështu nga sindikatat e vjetra, të cilat ata i konsiderojnë të kapura nga politika dhe pronarët.
Kryetari i Sindikatës u zgjodh minatori Elton Debreshi për një mandat 3-vjeçar.
“Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është ngritur prej vullnetit të vetë minatorëve që iu ka ardhur shpirti në majë të hundës prej padrejtësive,” tha Elton Debreshi.
Në Bulqizë ka rreth 110 kompani të licencuara për të shfrytëzuar rezervat e kromit.
Shumica e pronarëve janë të përfshirë në parti politike dhe pjesë e këshillit bashkiak, cka u pamundëson minatorëve miratimin e Statusit.
Për 10 vite, rreth 300 minatorë kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në miniera.
Sipas një dokumentari të Top Story, del në pah se shumica e aksidenteve tentohen të manipulohen, duke ia lënë fajin viktimës, me argumentin se nuk ka respektuar kushtet.
Pas themelimit, Gjykata e Tiranës e njohu ligjërisht sindikatën e re në 15 tetor.
Që prej themelimit Sindikata ka bërë disa përpjekje për të përmirësuar gjendjen e minatorëve.
Megjithatë rrugëtimi i tyre sindikal nuk ka qenë i lehtë. Vetëm pesë ditë nga shpallja e SMBB-së, kompania Albchrome pushoi nga puna kryetarin Elton Debreshi.
Kjo bëri që minatorët të dilnin në grevë. Por më pas kompania pushoi nga puna edhe anëtarët e Këshillit Sindikal, Beqir Duriçi, Behar Gjimi e Ali Gjeta.
Më 26 tetor 2020, Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi konstatoi që drejtuesit e SMBB-së qartazi janë diskriminuar për shkak të angazhimit sindikal.
“Falë përpjekjes së SMBB-së u arrit të dilte në shesh kontrata kolektive, paçka se qartazi e falsifikuar nga Albchrome dhe pseudosindikata e Taf Kolecit dhe Kol Nikollës. Falë denoncimit të SMBB-së u arrit të rikthehej e drejta e grevës, të cilën donin t’ua vidhnin minatorëve. Falë protestave dhe presionit të bërë nga SMBB-ja u arrit që pagat të rriteshin disi, por jo mjaftueshëm, të paguhet më shumë puna mbi normën dhe të drejtat e minatorëve të mos shkelen si më parë”, deklaron Sindikata e Minatorëve.