Një grup minatorësh po protestojnë sot përpara parlamentit për të drejtat e tyre. Minatorët kërkojnë miratimin e statusit të minatorit, që prej vitesh i është premtuar, por ende vazhdon të mos votohet në parlament.
Protestuesit u shprehën se pavarësisht viteve të shumta të punës, ata ende nuk kanë status që parashikon dhe mbron të drejtat e tyre.
“Ka 27 vite që na mashtrojnë si njëra parti dhe tjetra”, u shprehën mitanorët.
Ata paralajmëruan se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, protestat do të përshkallëzohen deri në grevë urie.
Ministria e Energjisë, në muajin mars, bëri me dije se po punon për hartimin e një statusi të veçantë për minatorët, me kërkesë të këtyre të fundit.
Disa nga kërkesat kryesore të minatorëve ishte paga minimale aktuale e tyre të jetë të paktën 70 mijë lekë në muaj, përfitimi i pensioneve për minatorët dhe familjarët e tyre në rast të aksidenteve në punë, rritjen e pensionit dhe uljen e moshës së daljes në pension.
Po ashtu, minatorët kërkojnë të drejtën për të përfituar kontrolle mjekësore falas, e në rast të sëmundjeve profesionale, shteti t’i sigurojë kurimin mjekësor falas.
Aktualisht, punëtorë dhe ish-punëtorë të minierave numërohen rreth 8 mijë persona. Ata njihen si një ndër grupet me jetëgjatësinë më të shkurtër krahasuar me qytetarët e tjerë, si pasojë e punës në kushte të vështira në nëntokë.
Deri më tani projektligji nuk është diskutuar ende në komisionet përkatëse parlamentare, për të shkuar më pas për votim në kuvend.