Ministrat e BE-së pro hapjes së negociatave me Maqedoninë, por jo me Shqipërinë

Ministrat e BE-së pro hapjes së negociatave me Maqedoninë, por jo me Shqipërinë

Ministrat e jashtëm të BE-së do të votojnë sot për të shtyrë në shtator marrjen e vendimit për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe do të vendosin nëse gjykimi do të bëhet në bllok për të dy vendet apo veçmas.

Kjo pasi të gjithë ministrat e vendeve anëtarë janë pro hapjes së negociatave me Maqedoninë, por për disa prej tyre Shqipëria nuk është gati për këtë hap.

Ky lajm është konfirmuar për median EURACTIV nga disa burime diplomatike në Luksemburg, ku dhe po zhvillohet Samiti i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian.

Vitin e kaluar, shtetet anëtare ranë dakord që BE të vendosë këtë qershor nëse do të fillojë bisedimet e anëtarësimit në bllok me të dy vendet, por tashmë është e qartë se nuk ka një vendim unanim për të dy vendet: Maqedonia e Veriut ka mbështetjen e gjithë BE-së, Shqipëria ende nuk ë gëzon atë.

Madje më 14 qershor, presidenti maqedonas Pendarovski deklaroi që Maqedonia e Veriut duhet të gjykohet veçmas nga Shqipëria, pasi nuk është e drejtë që ajo të ndëshkohet nga gjykimi në grup. Në një intervistë për EURACTIV Pendarovski tha se:

“Veçimi i Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në rrugën drejt BE-së, duke i hapur dritën jeshile Maqedonisë së Veriut dhe ndalimin e hapjes së bisedimeve për Shqipërinë nuk është një gjë e mirë, por është e vetmja rrugë për ecur përpara.”

Sërish burime nga Luksemburgu për EURACTIV thanë se Maqedonia duket se ka mbështetjen e shumicës së vendeve për të shkëputur vlerësimin e saj nga Shqipëria. Vetëm Italia po këmbëngul në gjykimin e të dy vendeve dhe marrjen e një vendimi në bllok.

Ndërkohë Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini, përpara nisjes së takimit në Luxemburg, u shpreh se shtetet anëtare duhet të marrin sa më shpejt një vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë:

“Mendoj se duhet ta kujtojmë fuqinë e lidershipit dhe guximit dhe hapat e rëndësishëm që janë ndërmarrë në Ballkanin Perëndimor. Vendet anëtare duhet ta kujtojnë këtë dhe të vlerësojnë hapat e bëra përpara, sidomos kur në ditët në vazhdim do të merret një vendim i rëndësishëm për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, gjë që mendoj se duhet të bëhet sa më shpejt.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>