Ministrat e financave të BE-së nuk bien dakord për paketën ekonomike kundër Covid-19

Nga Exit News
Ministrat e financave të BE-së nuk bien dakord për paketën ekonomike kundër Covid-19

Të mërkurën, ministrat e financave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nuk gjetën dakordësi rreth një pakete ekonomike të nevojshme kundër pandemisë së koronavirusit. Paketa kërkon alokimin e rreth 500 miliardë eurove, të cilat mund të përftohen përmes borxheve. Vendimmarrja u shty për të enjten.

Pas 16 orësh videokonferencë, ministrat e 27 shteteve anëtare të BE-së nuk i tejkaluan dot qendrimet e kundërta rreth kushteve që duhet t’u vihen shteteve për të përfituar fondet e paketës së quajtur Mekanizmi Evropian i Stabilitetit (ESM).

Italia dhe Holanda thuhet se patën përplasje. Italia kërkon që bashkë me ESM-në të përbashkohen dhe borxhet, ndërsa Holanda është kundër.

Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz u shpreh në Twitter se “në këto orë të vështira, Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar”.

“Bashkë me Bruno Le Maire [Ministri francez i Financave] i bëj thirrje gjithë vendeve të BE-së, që për qytetarët e tyre, të mos heqin dorë nga zgjidhja e këtyre çështjeve të vështira financiare dhe të mundësojnë bashkëdakordësi.”

Ministri Le Maire u citua nga Al Jazeera t’u shprehej të tjerëve “t’i linin shfaqjet prej palaçosh”.

Çështja e borxheve ka qenë temë e nxehtë për BE-në që prej krizës së viteve 2008-2009.

ESM synon të lehtësojë situatën ekonomike të vendeve më të prekura nga koronavirusi.

Italia dhe Spanja janë aktualisht shtetet më në vështirësi pasi kanë diagnostukuar rreth 285 mijë të infektuar dhe mbi 32 mijë të vdekur.

Për të mbështetur ekonomitë e shteteve anëtare, BE-ja ka pezulluar përkohësisht kufizimet për ndihma, centralizimin e politikave ekonomike të eksporteve dhe importeve të materialeve mjekësore dhe kufizimet për borxhet.

Mirëpo Italia, Spanja dhe Franca shprehen se kjo nuk mjafton duke e kanalizuar diskutimin në një mbështetje më konkrete dhe një solidaritet më të madh ekonomik, çka përkthehet në një fond emergjence dhe sprovë të jashtëzakonshme për BE-në.

Propozime paralele janë bërë për borxhe prej fondeve të BE-së deri në 2 për qind të prodhimit të përgjithshëm të shteteve, rreth 240 miliardë euro, ose mbështetja e Bankës Evropiane të Investimeve me 25 miliardë eruo dhe paralelisht me 200 miliardë mbështetje kompanive private.

Pikërisht kushtet për aksesin në këto fonde janë dhe përplasja më e fortë mes 27 shteteve anëtare.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>