Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj sqaroi sot procedurat që duhet të ndjekin qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit për të përfituar nga ky proces.
Ministri shpjegoi se çdo familje e prekur duhet të aplikojë pranë njësive vendore, nëpunësit e të cilave do të trajnohen specifikisht për këtë proces:
“Aplikimi pranë njësive vendore është i detyrueshëm për të përfituar nga rindërtimi, qytetarët duhet të aplikojnë.
Çdo bashki duhet të ketë një zyrë, dhe jo thjesht do të vijnë qytetarët te ju, por skuadrat tuaja duhet të marrin qytetarët dhe t’i ndihmojnë për aplikimin online. Platforma bazohet në vetë deklarimin e qytetarëve. Do të deklarojnë dëmet.
Nuk mund të kalojmë në hapat tjera, pa pasur një dosje të plotë të aplikimit. Nesër të gjitha bashkitë që janë në zonat e dëmtuara do duhet të dërgojnë 3 presona, që do të trajnohen nesër në Bashkinë e Tiranës për të trajnuar të tjerët në njësitë administrative.”
Që pas datës së hapjes së aplikimeve më 29 janar, banorët do të kenë 30 ditë afat për të plotësuar aplikimin dhe dokumentet. Ata më pas do të renditet në bazë të një sistemi pikëzimi, nga rastet më prioritare deri në rastet kur dëmet nuk janë shumë serioze:
“Që nga sistemi i aplikimit online, deri te momenti i pikëzimit, duhet kaluar në këshillat bashkiake.
Sistemi i pikëzimit ka të bëjë me faktin që ligji na detyron të kemi një listë prioritare.
Do të ketë një sistem pikëzimi që do të bëhet automatikisht online dhe ku banesat më prioritare do të ndërtohen të parat. Do bëhet në mënyrë automatike.”