
Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç ka mohuar lajmin se Serbia ka pezulluar fushatën e saj kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Serbia e thotë publikisht se do të ndalojë fushatën e çnjohjeve të Kosovës vetëm nëse të tjerët pranojnë të ndalojnë fushatën e njohjeve të Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare.
Meqenëse kjo nuk ka ndodhur, Serbia nuk ka ndaluar me fushatën e çnjohjeve. Kur ata të ndalojnë, do të ndalojmë edhe ne”, tha Daçiç, për agjencinë Tanjug, raporton Radio Evropa e Lirë në Serbi (RSE).
Më herët, REL në Serbi raportoi se burime nga Brukseli i kanë treguar se qeveria serbe ka vendosur të ndalojë fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, si mënyrë për të krijuar një atmosferë bashkëpunimi për rifillimin e dialogut mes dy vendeve. REL shkruante se burim për këtë informacion ishte një diplomat i lartë i BE-së.
Ministri Daçiç tha se ai diskutoi këtë gjë me Presidentin Vucic dhe se lajmi ishte një “gënjeshtër e madhe”.