Ministri i Brendshëm gjerman: Masterplan për dëbimin e refugjatëve e azilkërkuesve

Ministri i Brendshëm gjerman: Masterplan për dëbimin e refugjatëve e azilkërkuesve

Qeveria e sapoformuar gjermane do të hartojë një plan të ri për refugjatët dhe azilkërkuesit, me procedura më të shpejta dhe dëbime më të vendosura. Lajmin e bëri të ditur Horst Seehofer, që pritet të marrë postin e Ministrit të Brendshëm gjerman.

Gjatë një intervistë për gazetën “Bild am Sonntag”, Zoti Seehofer, kreu i Bashkimit Konservator Bavarez (CSU) u shpreh:

“Do të hartojmë një master plan për procedura më të shpejta të azilit dhe deportime më të vendosura. Numri i riatdhesimeve duhet të rritet ndjeshëm. Ne duhet të ndërmarrim veprime më të ashpra, veçanërisht në rastin e kriminelëve dhe personave të rrezikshëm në mesin e azilkërkuesve.”

Horst Seehofer, i cili ka qenë gjithnjë kritik ndaj politikave të emigracionit të kancelares gjermane Angela Merkel, tha se “masterplani” duhet të hartohet shpejt, brenda disa muajve pasi nuk mund të pritet më shumë.

Seehofer tha se do të miratojë një strategji me “tolerance zero ndaj kriminelëve”.

“Ne duam të mbetemi një vend me mendje të hapur dhe liberale, por kur bëhet fjalë për mbrojtjen e qytetarëve tanë, ne kemi nevojë për një shtet të fortë, dhe unë do ta siguroj këtë,” tha Seehofer.

Ministri i ardhshëm i Brendshëm bëri thirrje për mbikëqyrje efektive me kamera në çdo pikë të rrezikshme për konflikte e krime në vend.

“Duhet të ketë një konsensus në të gjithë Gjermaninë se nuk do të tolerojmë më zona të paligjshme”, tha ai.

Horst Seehofer do të nisë punën së shpejti në ministrinë tashmë të zgjeruar që do të quhet Ministria e Brendshme, e Ndërtimit dhe Atdheut, në qeverinë e ardhshme të koalicionit me kancelaren Merkel.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>