Ministri i dënuar që "adhuron" Edi Ramën shkruan në Le Monde

Ministri i dënuar që "adhuron" Edi Ramën shkruan në Le Monde

Kryeministri Edi Rama ka filluar ditët e fundit një fushatë reklamimi të vetes para publikut evropian. Ndërsa në Shqipëri është duke konsoliduar me dorë të fortë pushtetin e tij personal, ai po tregohet, si gjithmonë, i kujdesshëm që këto përpjekje autokratike të paketohen për opinionin e huaj politik si reforma modernizuese dhe europiane.

Në këtë fushatë të fundit Edi Rama ka riaktivizuar rrjetin e tij të klientëve të huaj, përfshi ish-politikanë të lartë europianë, shumica prej të cilëvë janë paguar apo vazhdojnë të paguhen prej tij si këshilltarë, konsulentë, apo në forma të tjera.

Para tre ditësh ishte Alistair Campbell—ish drejtori i komunikimit i Tony Blair—i cili publikoi në faqen e tij personale një artikull të tejmbushur me lavde dhe himne ndaj Ramës. Artikulli u përcoll si lajm kryesor dhe u propagandua në mënyrë të ethshme nga të gjitha mediat vendase, të cilat tashmë kontrollohen pothuajse të gjitha nga Edi Rama. Edhe pse Campbell në artikullin e tij e bën të qartë që ka punuar si konsulent politik personal i paguar nga Rama, mediat shqiptare nuk e përmendin fare këtë fakt dhe i referoheshin atij vetëm si drejtor i komunikimit dhe këshilltari i ish-kryeministrit Tony Blair. Në fakt, vetë Blair dhe gruaja e tij janë paguar për disa vite nga qeveria e Edi Ramës si konsulentë.

Sot ishte rradha e politikanit të diskredituar Denis MacShane, ish ministër për Çështjet e Europës, po në qeverinë e Tony Blair. MacShane ka botuar në gazetën kryesore franceze Le Monde një artikull ku lëvdon Edi Ramën duke e portretizuar si politikani që po shpëton fatet e socialdemokracisë europiane.

Artikulli është i tejmbushur me lavde dhe komplimente ndaj Ramës dhe ka të njejtën strukturë dhe përmbajtje që kanë prej vitesh artikujt vetëlëvdues që Rama porosit në shtypin e huaj: përshkruan stilin në veshje të Ramës; thekson faktin që Rama ka qenë artist dhe sportist i arrirë; thekson arritjet e mëdha transformuese si kryebashkiak i Tiranës, duke mos harruar lyerjen historike të mureve të pallatave; thekson që si kryeministër Rama po emancipon dhe po modernizon Shqipërinë.

Nëse nga njëra anë MacShane është i mirëinformuar në detaje për reformat që ka kryer apo sapo ka shpallur Kryeministri Rama, nga ana tjetër duket se ai ka vështirësi me faktet pasi artikulli i tij është mbushur me pasaktësi, informacione të shtrëmbëruara deri gënjeshtra të hapura—të gjitha ekzagjerim i arritjeve apo rezutlateve të kryeministrit Rama.

LEXO  Rama emëron veten ministër të jashtëm të përkohshëm

Me qasjen e zakonshme të Ramës, që në mëngjes ka filluar propagandimi i ethshëm i artikullit nga makinera e propagandës e Edi Ramës, propagandë që filloi me postimin e artikullit nga vetë Rama në faqen e tij në Facebook.

Ndërsa Campbell ka vite që punon për Ramën, MacShane është aktivizuar vitin e fundit. Në maj, pak para zgjedhjeve të qershorit, MacShane shkroi një artikull në faqen informative Euroactiv me anë të të cilit ai lëvdonte në ekstrem Ramën dhe sulmonte ashpër kryetarin e opozitës Lulzim Basha si rrezik për Shqipërinë për shkak të qasjes së tij populizte. Artikulli, i mbushur gjtihashtu me keqcitime dhe me pohime të pazakonta për një politikan europian, u përcoll nga mediat pro-qeveritare dhe u propagandua e përforcua nga komentatorët mediatikë të lidhur me qeverinë si një artikull serioz nga një personalitet politik. Duke theksuar faktin se MacShane ka qënë ministër për Evropën, si një veçori që i jep besueshmëri dhe seriozitet artikullit të tij.

Ato që mediat nuk raportuan atëhere dhe tani është një fakt i rëndësishëm që do t’i interesonte lexuesve për shkak të qëndrimit të njëanshëm politik të autorit. Denis MacShane është një ish-politikan karriera e të cilit mori fund për shkak të korrupsionit, përfshi pagesa të paligjshme, falsifikim faturash për shpenzime qeveritare.

Në vitin 2013, ndërsa ishte deputet në parlamentin britanik ai u dënua me 6 muaj burg për fallsikimin e 19 faturave shpenzimeve për të përfituar rimbursim nga parlamenti britanik në shumën rreth 18 mijë euro. Ai u hetua fillimisht nga parlamenti britanim që pastaj e denoncoi atë penalisht. Në deklarimin e tij fajtor, gjykatësi u shpreh se MacShane ka treguar “një mungesë totale besimi dhe respekti për sistemin demokratik”.

Është e vështirë të besohet se ky njeri është duke i shërbyer Edi Ramës falas. Për pak mijë dollarë ai falsifikoi dhe tentoi të mashtronte parlamentin anglez duke shkatërruar kështu karrierën e tij politike, ndaj zor se ai e ahduron dhe lëvdon falas Edi Ramën.

Lajme te ngjashme