Ministri i Financave Ahmetaj – një figurë me kredibilitet shumë të ulët në tregjet financiare ndërkombëtar

Nga Geri Selenica
Ministri i Financave Ahmetaj – një figurë me kredibilitet shumë të ulët në tregjet financiare ndërkombëtar

Ministri i Financave dhe Guvernatori i Bankës Qëndrore të një vendi duhet të jenë dhe janë, zakonisht, zyrtarët më seriozë, më profesionistë, më konservatorë, më të moralshëm dhe më të pakorruptueshëm të tij, pasi ata ndikojnë apo menaxhojnë bazën e çdo ekonomie të lirë – paranë. Reputacioni i tyre në një farë mase ndikon ecurinë ekonomike të vendit, ndaj ata duhet të jenë njerëz të besueshëm profesionalisht dhe me integritet. Ish Ministri i Financave Shkëlqim Cani, në një masë të madhe, i kishte të gjitha këto cilësi, si shumë pak të tjerë në politikën shqiptare.

Por në se ka një antitezë të cilësive të mësipërme, ai është Ministri aktual i Financave Arben Ahmetaj. Nuk dua të merrem me faktet e shumta të korrupsionit, pasi atë po e bëjnë shumë media.

Unë dua të bëj publike disa fakte që kanë të bëjnë me vlerësimin profesional të Arben Ahmetajt nga aktorë kryesorë të ekonomisë botërore.

SHBA-të

a. Javën e shkuar pata mundësinë të përfshihesha në një grup lobues për gjetjen e financimit për autostradën dhe hekurudhën e Adriatikut. Me këtë grup lobues takuam në Vatikan drejtues të fondit më të madh të pensioneve të SHBA-ve, i cili investon çdo vit tre mijë miliardë (triliardë) dollarë. Ky fond vetëm javën e shkuar investoi 11 miliardë dollarë në sektorin energjitik të Turqisë.

Qëllimi ynë është që në Samitin e Parisit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të shkojmë me një alternativë të qartë bashkëfinancimi për këtë projekt strategjik. Duke analizuar vëndet, mundësitë dhe risqet e këtij projekti, kur i erdhi rradha për të analizuar Shqipërinë, u ndodha në një pozitë shumë të sikletshme. Dy nga drejtuesit kryesorë të fondit amerikan të pensioneve më thanë që kishin qenë vjet në Shqipëri për ristrukturimin e borxhit të jashtëm të vendit dhe ishin takuar me kryeministrin Rama dhe ministrin e ekonomisë Ahmetaj. Verdikti i tyre për ta ishte: “These guys were totally out. They did not know what they were talking about.” (Ata ishin nuk ja kishin haberin fare. Ata nuk dinin ç’flisnin).

b. Para dy vjetësh erdhi në Shqipëri kompania më e madhe e konsulencave në në botë – McKinsey & Company, të cilën para 10 vitesh e mashtroi Fatos Nano dhe nuk i pagoi 600 mijë dollarë për një kontratë konsulence. Ata u takuam me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin Arben Ahmetaj. Duke e njohur mirë ekonominë shqiptare dhe duke ditur shumë mirë se si mund të thithnin investime të huaja, McKinsey propozoi që të ndërtonin dy-tre projekte strategjike investimesh me impakt të madh makroekonomik, që do të shërbenin gjithashtu për të përmirësuar reputacionin e keq të Shqipërisë. McKinsey qe aq i qartë, sa nuk kërkoi pagesa fikse si zakonisht, por do t’i ofronte shërbimet e veta me tarifë suksesi. Kryeministri Rama i caktoi McKinsey-t si person kontakti Arben Ahmetajn, i cili nuk iu përgjigj ndonjëherë dhjetra komunikimeve elektronike e postare. duke i skandalizuar dhe duke u larguar atyre çdo iluzion që mund të kishin mbi Shqipërinë.

Bashkimi Europian

a. Në 29 gusht 2015, në Samitin e Vjenës, ku Arben Ahmetaj përfaqësonte Shqipërinë për çështjet e financimeve dhe korridoreve infrastrukturore, e prezantova atë me Drejtorin për Huadhëniet të Bankës Europiane të Investimeve, zotin Dominique Courbin dhe isha i pranishëm në bisedën midis tyre. Pavarësisht se Zoti Ahmetaj ka mbaruar universitetin për gjuhën angleze, arrita të kuptoj që terminologjinë e bankingut në anglisht nuk e dinte. Faktikisht, ai pati një komunikim me efektivitet zero me bankierin e lartë europian. U trishtova shumë, se si do të mundej qeveria shqiptare të merrte financime nga Komisioni Europian me komunikim diletant dhe mediokër. Dhe nuk po flas për komunikimin “humoristik” të Edi Ramës me bankierët e lartë.

b. Po në Samitin e Vjenës ish drejtori i zgjerimit të Komisionit Europian Jean Eric Paquet më tha që Shqipëria kishte paraqitur propozime që s’kishin lidhje me kriteret e korridoreve europiane. Në fakt Ministrinë e Transporteve të Shqipërisë në Vjenë e përfaqësoi Arben Ahmetaj dhe këto ishin idetë e tij. Kur i thashë i revoltuar Ahmetajt, se ç’ishin këto idiotizma, ku ai kishte kërkuar të futej në Rrjetin Kryesor Europian hekurudhën Durrës-Vlorë dhe nuk kishte kërkuar fare hekurudhën Milot-Prishtinë-Nish/Beograd, që e kërkonte dhe Kosova dhe Serbia, apo korridorin hekurudhor të Adriatikut (Kroaci-Mali i Zi-Shqipëri-Greqi), m’u justifikua se kështu e donte Rama! Në se ka një njeri që ka përgjegjësinë kryesore për perfomancën e ulët të Shqipërisë në mospërfshirjen në Korridoret e Ballkanit Perëndimor, ai është Ahmetaj, pasi me lejën e Ramës, ai ka eklipsuar ministritë e transportit, të jashtme dhe të financave.

Gjermania

Në vitin 2015, Arben Ahmetaj u ftua të prezantonte Shqipërinë për të tërhequr vëmendjen e investitorëve gjermanë nga landi më i fuqishëm ekonomik, ai i Rinit të Veriut e Vestfalisë. Në takim morën pjesë shumë përfaqësues kompanish të vogla e të mesme gjermane. Përveç fjalëve e një prezantimi të sipërfaqshëm dhe jo konkret nuk pasoi asgjë tjetër. Gjermania e ka klasifikuar Shqipërinë si një vend me klimë shumë të keqe biznesi dhe me korrupsion shumë të lartë. Të gjitha kompanitë gjermane janë në një mënyrë ose në një tjetër të përfshira në konflikte gjyqësore në Shqipëri ose i druhen një fundi të tillë në se futen në Shqipëri. Nga viti 2013 në vitin 2014 eksporti shqiptar drejt Gjermanisë pësoi rënie prej 26,5 për qind.

Ndërkohë, eksporti i Maqedonisë drejt Gjermanisë shënoi një rritje prej 32 për qind për të njëjtën periudhë, në vlerë monetare 1,6 miliardë Euro me sufiçit tregtar 889 milionë euro për Maqedoninë ndërsa eksporti i Shqipërisë në Gjermani është vetëm 60 milionë Euro me një defiçit tregtar 98 milionë euro.

Edhe ndonjë kompani e madhe gjermane që vepron prej vitesh në Shqipëri i ofrohen projekte korruptive, që janë krejt jashtë fushës së saj të veprimtarisë, bile janë evidentuar qartazi edhe tentativa për t’i përfshirë në afera korruptive, siç është një tender që do të zhvillohet kësaj jave.

Në 23 tetor 2015 Gazeta Dita shkroi një shkrim mbi “talljen” që i bëjnë zyrtarët shqiptarë gjigandëve gjermanë. Shumë burime e konfirmojnë që Gjermania e ka vendosur në fund të listës Shqipërinë për të bërë biznes, kjo falë edhe kontibutit të ministrit Arben Ahmetaj.

Kina

a. Para disa muajsh China Exim Bank i kërkoi zyrtarisht ambasadorit shqiptar në Pekin, pse nuk mund të komunikonin me Ministrin e Financave të Shqipërisë për çështjet teknike të financimeve kineze, por vetëm me atë të Ekonomisë. Nënkuptimi qe shumë i qartë: “Ministri i Ekonomisë konsiderohet jo profesional”.

b. Të njëjtin opinion ma dha dhe zëvëndës presidenti i China Development Bank, banka më e madhe kineze, i cili në tetor 2015 vizitoi rajonin dhe në vend që të takonte ministrin e financave, takoi ministrin e ekonomisë!

c. Kur Arben Ahmetaj përfaqësonte Shqipërinë në Panairin e Ningbo në 2014 iu propozua të takonte disa firma të mëdha kineze për energjitikën, por ai refuzoi se qe shumë i zënë me kinezët e Spitallës, për të cilët kur u kthye tha që qenë shumë të fuqishëm.

d. Kur Edi Rama vizitoi Kinën në shtator 2014 dhe firmat kineze PowerChina e GeZhouBa shprehën interes për Skavicën, qe pikërisht Arben Ahmetaj që me zë të lartë kundërshtoi që kinezët të përfshiheshin në Skavicë. Këtë ja tha troç edhe më vonë përfaqësuesit të tyre po në zyrën e tij, që të hiqte dorë nga Skavica.

e. Në tetor 2014 Edi Rama e Arben Ahmetaj, në kthim pasi kishin dhënë një jave leksione “ekonomie” në Harvard, takuan në Paris një nga grupet më të mëdha industriale të Kinës Norinco, që ofroi financime për vepra energjitike si Skavica ose Vjosa mbi 1 miliardë euro, me afat 35 vjeçar, me 7 vjet periudhë falas dhe më pas me interes 2 për qind në vit. I ftuan në Tiranë dhe më vonë Ahmetaj nuk iu ktheu kurrë përgjigje.

f. Arben Ahmetaj në një takimin zyrtar, i thonë qeverisë kineze “fokusohuni tek Shqipëria, se është ura juaj drejt Europës” duke i lënë jashtë mase të habitur zyrtarët kinezë për mënyrën e cekët të komunikimit, ndërkohë që Kina është prezent me investime në çdo vënd të Europës, përveç Shqipërisë.

g. Arben Ahmetaj me delegimin e Edi Ramës ështe personi kyç në bisedimet me firmat kineze për koncesionet e “Rrugës së Arbërit”, “Spitallës” dhe “TVSH-së”.

E deklaroj me dijeni të plotë, që në se ka një njeri që i ka bllokuar dhe kanalizuar në drejtim “të paditur” marrwdhëniet e investimeve kineze në Shqipëri, ai është Arben Ahmetaj.

Turqia

NO COMMENT PAZAR!

Serbia

Në kuadrin e Nismës së Berilin vjet vizitoi Tiranën për t’u takuar me Ahmetajn zëvëndëskryeministrja dhe ministrja e ekonomisë së Serbisë Zorana Mihajlović. Ahmetaj nuk i dërgoi asnjë makinë shtetërore ta priste në Rinas zonjën Mihajlović, por ajo kundër protokollit diplomatik udhëtoi me makinë private. Bile Ahmetaj pasi bëri një bisedë të përciptë nuk i ofroi asnjë drekë, “se e kishte axhendën të ngjeshur”. Më e keqja qe se Ahmetaj s’e bëri kurrë të ditur që sërbet kanë interes për hekurudhën Durrës-Prishtinë-Nish-Beograd.

Arben Ahmetaj në të njëjtën kohë është personi i kontaktit me qeverinë shqiptare i profesorit të Harvardit Ricardo Hausmann, i cili zyrtarisht e këshillon qeverinë tonë 18 orë në jave mbi politikat ekonomike. Nuk mund të vë në dyshim aftësitë mësimdhënëse të Hausmann, por mësimdhënia (teoria) dhe ekonomibërja (praktika) janë dy gjëra shumë të ndryshme. Ekonomibërja është një shkencë praktike që duhet jetuar dhe prekur çdo ditë dhe nuk ka asnjë shans që të kontrollohet nga larg dhe nëpërmjet kanaleve jo profesionale si Ahmetaj. Që kur Edi Rama artikuloi paketën fiskale rilindase e kutova që qe bërë nga njerëz që s’e njihinin fare realitetin ekonomik në Shqipëri dhe s’kishin asnjë lidhje me të bërit biznes në Shqipëri dhe rajon. Jam i sigurt që Arben Ahmetaj është një nga kontributorët kryesorë të kësaj “reforme” rrënuese për ekonominë tonë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>