Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas deklaroi se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë nuk do të ndahet nga ai i Maqedonisë së Veriut.
Deklarata u bë në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, të hënën në Berlin.
“Ne mbështesim presidencën portugeze që të gjejë sa më shpejt zgjidhje për çështjet dypalëshe, në mënyrë që të hapen sa më shpejt konferencat e anëtarësimit, si për Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për Shqipërinë. Nuk mendojmë t’i ndajmë nga njëra-tjetra,” u shpreh Maas.
Osmani ka ndarë të njëjtin qëndrim, duke thënë se Komisioni anëtarëson secilin vend në përputhje me përparimet e secilit, por “përvoja ka treguar se një rrugëtim i përbashkët është më i frytshëm, sepse përfiton nga efektet sinergjetike.”
Maas preku edhe dokumentet jozyrtare, të quajtura “Non paper”, që qarkullojnë nëpër mediat e rajonit, të cilat i konsideroi “ajër i nxehtë” dhe “fake news” .
Ai hodhi poshtë idenë e ndryshimit të kufijëve.
“Parimi bazë i politikës gjermane eshte: heqja dorë nga ndryshimi i kufijve,” tha Maas.
Të hënën, korrespondenti i Euronews në Bruksel, Jack Parock zbuloi se KE po përgatitet t’i propozojë samitit të udheheqësve të BE-së mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.