Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu planifikon të vizitojë Athinën në fund të majit, duke i kthyer kështu vizitën e muajt të kaluar homologut grek Nikos Dendias.
Ekathimerini raporton se nuk ka ende një datë të saktë se kur do të zhvillohet vizita ndërkohë negociata të mëtejshme priten me qeverinë greke.
Përveç axhendës së bisedimeve, priten gjithashtu negociata në lidhje me programin dhe orarin e Cavusoglou.
Ndërkohë shefi i forcave të armatosura të Greqisë, Konstantinos Floros, ka bërë thirrje që të shmanget retorika që nxit tensione mes dy vendeve.
Ai ka paralajmëruar se tensioni i zgjatur me avionët turq në hapësirën ajrore greke mbart rreziqe serioze.
“Mundësia e ndodhjes së një aksidenti është jashtëzakonisht e lartë. Askush nuk e di se ku do të çojë kjo. Ne po përpiqemi të mos jemi ata që do të çojnë në këtë aksident. Ne jemi jashtëzakonisht të trajnuar. Presioni është intensiv”, ka deklaruar ai.
Turqia dhe Greqia mbajtën 60 raunde bisedimesh nga 2002 në 2016 për të adresuar mosmarrëveshjet mbi të drejtat e burimeve energjitike, pretendimet për ujërat në Mesdhe, hapësirën ajrore dhe statusin e disa ishujve të Egjeut.
Bisedimet rifilluan në janar në Stamboll pas disa muaj tensionesh dhe kërkesash nga Bashkimi Evropian.