Ministri i Jashtëm italian Luigi di Maio deklaroi sot se Italia do ta ndihmojë Shqipërinë në mbledhjen e fondeve për përballimin e dëmeve të tërmetit.
Në një konferencë të përbashkët pas takimit me Kryeministrin Rama, ministri Di Maio u shpreh:
“Populli shqiptar nuk do të lihet vetëm. Në ditët në vijim Italia në të gjitha takimet do të bëjë të mundur që të japë ndihmesën për t’i rikthyer normaliteti, të bindë Komisionin Europian që t’i qëndrojë pranë popullit shqiptar.
Do punojmë fuqishëm dhe në konferencën e donatërove. Do vëmë në dispozicon teknikët tanë për të hartuar një vlerësim paraprak për pasojat e tërmetit në mënyrë që konferenca e donatërove të ketë një kuadër të qartë të dëmeve.”
Kryeministri Rama, pas falenderime për Italinë, tha se ka biseduar me ministrin Di Maio për paketën e re ligjore anti-KÇK:
“Me ministrin kemi diskutuar dhe legjislacionin e ri kundër KÇK-së dhe njësinë speciale kundër korrupsionit. Ministri më ka konfirmuar gadishmërinë e Italisë për të mbështetur jo thjesht me asistencë teknike por dhe njerëz në terren, bashkëpunim konkret.”
Ministri i Jashtëm i Italisë Luigi Di Maio erdhi sot në Tiranë për të përshëndetur ekipin italian të zjarrfikësve që janë duke ndihmuar pas tërmetit të 26 nëntorit dhe për të marrë pjesë në ceremoninë e dhurimit të mjeteve të emergjencës nga Mbrojtja Civile e Italisë.
Bashkë me ministren Balluku, ai vizitoi kampin e ngritur në Vorë ku nëpër çadra ka ende banorë të strehuar.