Ministri serb Dačić: Heqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, prioritet i Serbisë

Ministri serb Dačić: Heqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, prioritet i Serbisë

Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Dačić ka deklaruar se Serbia do të vazhdojë aksionin diplomatik kundër pavarësisë dhe njohjes së Kosovës.

Duke folur për prioritetet e Serbisë për vitin 2020, ministri Dačić u shpreh:

“Serbia do të vazhdojë të luftojë për ruajtjen e integritetit të territorit dhe sovranitetit të saj në vitin 2020, [dhe] luftën për një zgjidhje kompromisi për çështjen Kosovë-Metohija, si dhe [të lobojë] për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.”

Ministri Dačić tha se 20 vende kanë tërhequr njohjen e tyre për Kosovën që kur qeveria serbe filloi fushatën e lobimit kundër saj.

“Unë pres që më shumë shtete të tërheqin njohjen e të ashtuquajturës Kosovë,” shtoi Dačić, sipas gazetës Blic.rs.

Prej disa vitesh, qeveria serbe e Presidentit Alexandar Vučić ka nisur fushatë intensive për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për të lobuar tek shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, për ta tërhequr atë.

Si pasojë e kësaj fushate, Kosova nuk ka mundur ende të anëtarësohet në Interpol dhe në Unesco.

Po ashtu, shteti serb dyshohet se ka paguar rryshfete në këmbim të tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës, në të paktën një rast, në Republikën e Afrikës Qendrore

Në verën e 2019-ës, një investigim i CNC, një gazetë lokale, zbuloi se më 24 korrik 2019 Ministrja e Punëve të Jashtme të RAQ Silvi Temon nënshkroi një dokument për tërheqjen e njohjes së Kosovës, pasi kjo i ishte kërkuar në Paris nga përfaqësues të qeverisë serbe. Ministrja kishte vepruar pa dijeninë e Kryeministrit, të Këshillit të Ministrave dhe Presidentit. Në këmbim të këtij dokumenti, ajo ka pranuar një rryshfet prej 300 mijë eurosh.

Ivica Dačić gjithashtu theksoi se gjatë 2020-ës, Serbia do të nxisë bashkëpunimin rajonal në Ballkan:

“Sa i përket bashkëpunimit rajonal, është e rëndësishme […] që të gjithë në rajon ndajnë besimin se së bashku jemi më të fortë dhe se mund të arrijmë shumë më tepër nëse kërkojmë interesa të përbashkëta.”

Në shtator 2019, Presidenti serb Vučić, Kryeministri Rama dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zaev filluan bisedimet për krijimin e një “mini-Shengeni” – një iniciativë për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa vendet e tjera të Ballkanit kanë hezituar t’i bashkohen projektit të quajtur nga Vučić në vitin 2017 si “Jugosllavia e vjetër, plus Shqipëria”, Kosova ka refuzuar drejtpërdrejt tre herë të marrë pjesë në takime për shkak të armiqësisë së Serbisë drejt pavarësisë së saj. Për këtë, Rama dhe Haradinaj kanë shkëmbyer replika të ashpra në distancë.

Politika e jashtme e Serbisë për të lobuar për tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga shtetet me demokraci të dobët, bllokimi nga ana e Serbisë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe plani Vuçiç-Thaçi, mbështetur nga Kryeministri Rama, për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës janë tre arsyet kryesore që çuan në ngrirjen e dialogut mes dy vendeve.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme