Ministri serb për Inovacion dhe Përparim Teknologjik, Nenad Popoviq, i kërkoi të enjten ambasadorit gjerman në Beograd, Thomas Schieb, të tërheq pretendimet për gjenocid serb në Kosovë, sipas medias kosovare KOHA.
Pak ditë më parë ambasadori gjerman, Schieb, me rastin e 22-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s mbi bazat ushtarake serbe, deklaroi se operacioni ishte i domosdoshëm për të ndalur gjenocidin mbi shqiptarët në Kosovë.
Në një letër drejtuar ambasadorit, Popoviq u shpreh se “ky është kulmi i cinizmit dhe vazhdimësi e disa shteteve perëndimore për të shpallur popullin serb gjenocidial”.
Ai ka kërkuar që ambasadori gjerman të kërkojë falje për deklaratën.
“Kërkojmë nga ambasadori gjerman që të kërkojë falje nëse dëshiron që të vazhdojë punën në mënyrë kredibile dhe detyrën e diplomatit të vendit të vet në Serbi”, tha Popovic për gazetën “Danas” të enjten.
Ai e ka konsideruar “dashakeqe” deklaratën, sepse vjen, sipas tij, me rastin e 80-vjetorit të bombardimeve naziste në Serbi.
“Dua t’ia kujtoj ambasadorit gjerman se edhe populli serb, gjatë Luftës së Parë Botërore, ka pësuar gjenocid nga gjermanët, kanë vrarë fëmijët serbë”, përfundoi Popoviq.