A janë kapur €10 miliardë drogë në Shqipëri gjatë vitit 2015? – Exit verifikon

A janë kapur €10 miliardë drogë në Shqipëri gjatë vitit 2015? – Exit verifikon

Dy ditë më parë, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dha një intervistë për revistën New Europe, në të cilën deklaroi, ndër të tjera, se “gjatë vitit 2015, janë kapur dhe shkatërruar nga policia drogë me vlerë mbi 10 miliardë euro” në Shqipëri.

Në shikim të parë, shifra e dhënë nga ministri Tahiri duket e dyshimtë, pasi është afërsisht e barabartë më gjithë prodhimin vjetor të vendit. Për këtë arsye, Exit.al u përpoq të verifikonte vërtetësinë e kësaj deklarate, duke iu referuar të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit gjatë vitit 2015.

Konluzioni që arritëm është se shifra e Zotit Tahiri është jashtëzakonisht e ekzagjeruar.

Në bazë të deklarimeve të policisë, gjatë vitit 2015, janë kapur:

  • rreth 130 kilogramë kokainë
  • rreth 230 kilogramë heroinë,
  • rreth 7 270 kilogramë marijuanë,
  • rreth 47 800 rrënjë kanabisi

Çmimi i drogës me shumicë, sipas vlerësimeve të policisë të disa vendeve të BE-së, përfshi Gjermaninë, Hollandën dhe Italinë, është mesatarisht 50 mijë euro kilogrami për kokainën, 30 mijë euro kilogrami për heroinën, 3 mijë euro kilogrami për marijuanën dhe rreth 300 euro për një rrënjë kanabis.

Bazuar në këto çmime, vlera e drogës së kapur në Shqipëri gjatë vitit të shkuar, sipas raportimeve të policisë është:

  • rreth 6,5 milionë euro kokainë;
  • rreth 7 milionë euro heroinë;
  • rreth 22 milionë euro marijuanë;
  • rreth 14,3 milionë  rrënjë kanabisi.

Në total  vlera e të gjitha llojeve të drogës së kapur për vitin 2015 është rreth 50 milionë euro.

Kjo shifër është dyqind herë më e vogël se ajo që ka deklaruar Ministri Tahiri.

Intervistën e plotë të ministrit Tahiri mund ta lexoni në:

A European Albania in times of crisis

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>